Magjistratët padisin Markun, Metën e Ramën për emërimin

Padia në Gjykatën Administrative nga 8 prokurorë e 8 gjyqtarë

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Pasi i ishin drejtuar fillimisht me një letër të hapur Arta Markut dhe Ilir Metës, 16 magjistratë i janë drejtuar Gjykatës Administrative për të zgjidhur jo vetëm çështjen e emërimit, por edhe të pagës.

Ata ishin në pritje për t'u emëruar prokurorë e gjyqtarë, por duke qenë se ende janë të papunësuar, kanë zgjedhur të padisin në gjykatë Kryeprokuroren Arta Marku, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Ministrave. Padia është depozituar më 26 shtator të këtij viti në Gjykatën Administrative, aty ku pritet që gjyqtarja Elvana Çiçolli të vendosë nëse do pranojë ose jo padinë e 16 magjistratëve, të cilët duan të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë.

MAGJISTRATET

Disa nga përfaqësuesit e palës paditëse janë shprehur se vendimi i tyre lidhet me faktin se që prej korrikut, kohë kur ata kanë mbaruar stazhin, nuk marrin më pagesë. E nga ana tjetër, ata thonë se në kushtet kur ka vende bosh, presin që të emërohen në detyrë. Pak kohë më parë ishte KLD dhe Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, që sqaruan arsyet e mosdekretimit, me faktin se ligji i ri nuk ua njeh këto kompetenca, të cilat i kanë kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas legjislacionit, 16 magjistratët, të ndarë në 8 prokurorë e 8 gjyqtarë, pasi mbarojnë shkollën, bëjnë një stazh të paguar me gjysmën e pagës. Në përfundim të stazhit, ata emërohen në detyrë, gjyqtarët nga KLD dhe prokurorët nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërsa, sipas Reformës në Drejtësi dhe ligjeve të reja, këto kompetenca i ka KLP dhe KLGJ. Në kushtet kur këto institucione ende nuk janë krijuar, palët ndajnë qëndrime të kundërta për emërimin e magjistratëve, të cilët në korrik kanë mbaruar stazhin.

PADIA

Më datë 26 shtator të këtij viti, në Gjykatën Administrative në Tiranë është regjistruar padia e 16 magjistratëve, Albjona Papajani dhe të tjerë, kundër Këshillit të Ministrave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Statusi i çështjes është ende në përpunim, ndërsa gjyqtarja që do të shqyrtojë padinë është Elvana Çiçolli. Baza ligjore mbi të cilën është ngritur padia është: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Kodi i Procedurës Civile, Ligji 49/ 2012, Ligji 96/ 2012, Ligji 115/ 2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", Ligji nr. 88363, datë 01.07.1998 "Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor", Ligji nr. 8811, datë 17.05.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë".

Faksimile e padisë së magjistratëve

Gjatë kontrolleve me radar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.