Trafikant dhe Dr. shkencash, arrestohet pedagogu i Ekonomikut

Lektori i Menaxhimit të Bizneseve, Dritan Shoraj, i dënuar nga Gjykata e Venecias për pjesëmarrje në trafikun e drogës

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Në Shqipëri, akademik e doktor shkencash ekonomike, ndërsa në Itali i akuzuar për trafikim lëndësh narkotike. Ky është Dritan Shoraj, 47- vjeçari që u arrestua mbrëmjen e së premtes në Tiranë, për llogari të drejtësisë italiane.

Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës kryen arrestimin e përkohshëm të pedagogut të Fakultetit Ekonomik, në afërsi të Bulevardit "Zogu i Parë". Policia tha zyrtarisht se Shoraj u ndalua pasi Gjykata e Apelit të Venecias e ka dënuar atë me 4 vjet e 20 ditë burg për pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike. Urdhri i ndalimit i ishte përcjellë Policisë shqiptare përmes zyrës së Interpolit mesditën e së mërkurës. Ndërsa të premten në mbrëmje, Dritan Shoraj është vënë në pranga nga Forcat Operacionale, duke u izoluar në qelitë e paraburgimit, deri në një vendim të dytë për ekstradimin ose jo të tij në drejtim të Italisë. "Kapet dhe arrestohet përkohësisht një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Seksioni i Forcës së Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative kapi dhe arrestoi përkohësisht shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Dritan Shoraj, 47 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit në Venecia, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vite e 20 ditë burg për veprën penale ' Pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike', parashikuar nga nenet 110 dhe 81 të Kodit Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit", tha zyrtarisht Policia e kryeqytetit.

PEDAGOGU Doktori i shkencave Dritan Shoraj, lektor në Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe në Universitetin e Durrësit, u kap nga forcat Operacionale pas një kërkese të autoriteteve italiane. Shoraj ishte lektori i lëndës për Menaxhim të Bizneseve dhe Koorporatave. Ai prej vitesh jepte leksione në auditorët e universiteteve, por në të njëjtën kohë, emri i tij gjendej në listën e të kërkuarve për çështje të trafikut të narkotikëve. Emri i doktorit Dritan Shoraj i është përcjellë Shqipërisë përmes Interpolit dy ditë para se ai të arrestohej. Sipas të dhënave zyrtare të Fakultetit Ekonomik, që prej vitit 2014, Shoraj mban titullin Doktor Shkencash në Ekonomi. Ndërsa mësohet se ai angazhohej edhe pranë strukturave të Partisë Dem- okratike, për çështjet e ekonomisë. Në fotot e tij, të postuara në rrjetet sociale, Shoraj rezulton se është një ekspert ekonomie që në jo pak raste ka qenë i ftuar në disa media shqiptare. Megjithëse mund të ketë qenë në dijeni të një dënimi në Itali, për aq kohë sa vendimi i formës së prerë ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Venecias, sërish ai ka qenë aktiv në rrjetet sociale, ku herë pas herë publikonte fotografi të ndryshme, herë i rrethuar nga libra, gjatë orëve të leksioneve, apo edhe gjatë udhëtimeve të tij jashtë Shqipërisë. Më 22 shkurt të vitit 2016, Dritan Shoraj u filmua gjatë protestës së PD- së në Tiranë, ku kishte lënë orët e mësimit në auditor dhe kishte qëlluar me shkelma mbi një qytetar.

Pedagogu Dritan Shoraj

Dritan Shoraj gjatë arrestimit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.