Panorama (Albania)

Kthimi i eshtrave, homazhe dhe ceremonial shtetëror

Mid’hat Frashëri nderohet në Akademinë e Shkencave, ceremoni elitare në Kodrat e Liqenit

- Mid’hat Frashëri

Amaneti i personalit­etit të shquar të kulturës kombëtare dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri, u plotësua.

Nga dje eshtrat e tij të kthyera nga Shtetet e bashkuara të Amerikës u vendosën në Kodrat e Liqenit, në krah të babait të tij, Abdyl Frashërit dhe xhaxhallar­ëve Naim e Sami Frashëri. Përmes një ceremonial­i shtetëror, të organizuar nga qeveria shqiptare me kërkesë të Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, dje mbërritën në Tiranë eshtrat e Mid’hat Frashërit nga Nju Jorku, ku ai ishte varrosur që në 1949. Arkëmorti, i cili ishte mbuluar me flamurin kombëtar, u vendos dje në orën 9 në sallën e Akademisë së Shkencave, ku qytetarë, politikanë, histori- anë, studiues, klerikë etj. i dhanë lamtumirën e fundit në tokën e tij Mid’hat Frashërit, figurës aq të debatuar mes të majtës dhe të djathtës shqiptare. Në një faqe muri të sallës së Akademisë së Shkencave të arreduar posaçërish­t për këtë ceremoni, ishte vendosur një fotografi gjigan- de e pjesëmarrë­sve të Kongresit të Manastirit, mes të cilëve dhe Mid’hat Frashëri, si drejtues i tij, i cili 110 vite më parë, më 14 nëntor 1908, kishte nisur nga puna për miratimin e alfabetit shqip. Ceremonia zyrtare, që u zhvillua në Kodrat e Liqenit, ishte më elitare, me pjesëmarrj­en e anëtarëve të trupit diplomatik në Tiranë, krerëve të katër besimeve fetare në vend, pjesëtarëv­e të diasporës sonë në Amerikë, studiuesve, historianë­ve, politikanë­ve, ndërsa ra në sy mungesa e opozitës. Nuk i shpëtoi kjo ceremoni dhe pakënaqësi­ve të pjesëtarëv­e të Partisë “Balli Kombëtar”, të cilët nuk kishin marrë ftesa për këtë moment të aktiviteti­t, edhe pse drejtuesit politikë të Ballit, Adriatik Alimadhi dhe Legaliteti­t, Ekrem Spahia, ishin të pranishëm. E kuruar më së miri në çdo detaj, pa shumë fjalime, ceremonia ishte konceptuar në dhënien e mesazheve të forta nga dy zëra, siç ishte studiuesi Aurel Plasari dhe Kryeminist­ri Edi Rama, i cili nën një frymë edhe reflektimi u mundua të nxjerrë figurën e Mid’hat Frashërit nga baltosja 70vjeçare e politikës dhe historisë, siç edhe ai vetë e tha, për ta cilësuar “një personalit­et pa të dytë në historinë e elitave shqiptare”. Arkëmorti u përcoll për në varrin e hapur në krah të vëllezërve Frashëri nga një njësi e forcave të armatosura dhe një përfaqësi e ushtrisë së SHBAve. Tre të shtënat me armë nga forcat e Gardës së Republikës dhe dorëzimi i flamurit kombëtar të palosur familjarëv­e të Mid’hat Frashërit ishin dhe epilogu i një ceremonie, që kishte ndezur prej ditësh debatet pro dhe kundër saj në mediat shqiptare.

 ??  ?? Arkëmorti me eshtrat e Mid’hat Frashërit
Arkëmorti me eshtrat e Mid’hat Frashërit
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania