Panorama (Albania)

Mbyllet Panairi i Librit, autorët që fituan çmimet

Rreth 200 tituj të rinj në këtë edicion. Shumë autorë shqiptarë sollën veprat e tyre më të reja

- TIRANE

Viti i shqiptarëv­e, mund të quhet ky edicion i 21- të i Panairit të Librit, i cili u mbyll mbrëmë në Tiranë.

Ndoshta asnjëherë më shumë se këtë vit, nuk ishin parë më shumë shkrimtarë e poetë në stendat e panairit, jo thjesht për të dhënë autografe, por për të promovuar veprat e tyre më të reja. Erdhën me tituj të rinj në këtë edicion: Ismail Kadare, Zija Çela, Mehmet Kraja, Besnik Mustafaj, Mira Meksi, Virion Graçi, Mimoza Ahmeti me dy vepra, në poezi e prozë, Ridvan Dibra, Flutura Açka, Namik Dokle, Azem Deliu, Brajan Sukaj, që fitoi çmimin e madh të Panairit me romanin “Ciklopi”, e shumë të tjerë. Por, përveç Kadaresë, i cili gjatë dy daljeve të tij në stendën e shtëpisë “Onufri”, ka dhënë me qindra autografe, për lexues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia, promovimet e autorëve të tjerë ishin të vakëta. Çdonjëri prej autorëve në fjalë do të kishte merituar një promovim më dinjitoz, që të përbënte ngjarje për të gjithë panairin. Dalja e një vepre të re të një autori shqiptar duhet të përbëjë një ngjarje të veçantë, shoqëruar me biseda e pse jo edhe debate për librin, duke qenë se shumë syresh prekin tema që lidhen me komunizmin dhe kujtesën. Por nuk duhet mohuar se tituj cilë- sorë u ofruan në këtë panair, edhe nga letërsia e huaj. Mund të përmendim “Dita e mbetur” e novelistit Kazuo Ishiguro, me përkthimin e mrekullues­hëm të Parid Teferiçit, nga shtëpia botuese “Pegi”; “Ashtu si dashuritë” i Javier Marias, sjellë në shqip nga Bashkim Shehu apo “Fletorja e Majës” nga Isabel Allende dhe shtëpia botuese “Dudaj”; apo veprat e nobelistëv­e të shtëpisë botuese “Scanderbeg Books”, si “I pangjyri Tsukuru Tzaki dhe vitet e tij të pelegrinaz­hit” nga Haruki Murakami apo “Xhevdet beu dhe të bijtë” nga Orhan Pamuk, etj..

Mes mijëra titujsh të 100 shtëpive dhe enteve botuese, që morën pjesë në këtë edicion, numërohen rreth 200 syresh nga letërsia shqipe dhe e huaj. Ndërsa çmimet e panairit janë zgjedhur mes 130 titujve të rinj, të cilët ishin gati deri në afatin e fundit të vendosur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, çka do të thotë se pjesa tjetër ka dalë në momentet e fundit para hapjes apo edhe gjatë ditëve të panairit. Të tilla kanë qenë veprat e Kadaresë, Çelës, përkthimi i Teferiçit, etj.. Sipas kryetares së jurisë së çmimeve të Panairit, ka pasur jo pak debat mes anëtarëve ( Agim Baçi, Ledia Dushi, Rudi Erebara, Arta Marku), për të zgjedhur më të mirët e këtij edicioni. Dhe për çudinë e të gjithëve ndoshta, çmimi i madh i panairit i shkoi një autori të ri, Brajan Sukaj me romanin “Ciklopi”, me motivacion­in: “Për ndjeshmëri­në e thellë njerëzore të përcjellë përmes një ligjërimi sa real aq edhe fantastik”. Çmimi i përkthimit më të mirë i shkoi përkthyese­s Donika Omari për përkthimin e romanit “Nga ana e princeshës së vdekur”, të autores Kenize Mourand, me motivacion­in: “Për shqipërimi­n dhe gërshetimi­n mjeshtëror të identiteti­t gjuhësor dhe artistik”. U ndanë po ashtu një çmim karriere për Kim Mehmetin, dy çmime inkurajues­e për Iva Nikollin dhe Flogerta Krypin, një special për arbëreshin Zef Skiro Di Maxha dhe një tjetër akorduar nga Ambasada Franceze për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge, që i shkoi përkthyesi­t Ilia Lëngu.

Përveç Kadaresë, i cili gjatë dy daljeve të tij në stendën e shtëpisë “Onufri”, ka dhënë me qindra autografe, për lexues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia, promovimet e autorëve të tjerë ishin të vakëta. Çdonjëri prej autorëve në fjalë do të kishte merituar një promovim më dinjitoz, që të përbënte ngjarje për të gjithë panairin

 ??  ?? Brajan Sukaj, fitues i Çmimit të Madh të Panairit të Librit 2018 Kim Mehmeti, fitues i Çmimit të Karrierës
Brajan Sukaj, fitues i Çmimit të Madh të Panairit të Librit 2018 Kim Mehmeti, fitues i Çmimit të Karrierës
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania