Panorama (Albania)

ISMAIL KADARE

-

Në ditët e fushatës kundër Pasternaku­t, telefonimi i tij me Stalinin, lidhur me Mandelshta­min e arrestuar, përmendej si një nga ngjarjet kryesore për ta poshtëruar poetin. Sidomos ajo pjesë e bisedës kur Stalini e pyeste ç’mendonte për Mandelshta­min. Tregoheshi­n pesë apo gjashtë versione të saj, por flitej se kishte shumë më tepër, njëri më i keq se tjetri.

Idiot, e shava prapë bjellorusi­n, po më shumë që shikoja ëndrra të tilla. Kjo s’më pengoi që një copë herë ta vrisja mendjen nëse mund të kishte ose jo një tjetër version.

Shoku Enver do të flasë me ju... Ç’mendoni për Mandelshta­min... Domethënë për Lasgush Poradecin, ose për Paskon, ose Markon që... burg... domethënë që ndonëse sapo kishin dalë nga burgu... mund të ktheheshin prapë atje.. Ose më thjesht, për Agollin, Qiriazin, Arapin... që... burg... domethënë që ndonëse ende burg s’kishin bërë. Që t’i biem shkurt, ç’mendon për veten tënde. Për këtë të fundit, domethënë veten time, mund ta kisha më lehtë. Unë, si të gjithë, mendoj të shkruaj për jetën... pavarësish­t nga një novelë e pabotuar, që mund të jetë bërë problem gjer te shoqja N., për jetën studentesk­e në Moskë. Ndonëse ngjarjet ndodhnin larg, në breg të Baltikut, në vendin e quajtur Dubulti, në një shtëpi pushimi shkrimtarë­sh. Ç’mendim keni për Pasternaku­n? Pyetja ngjante e befasishme, ndonëse nuk ishte aspak e tillë. Në të vërtetë ishte e vetmja që nuk do të doja të më bëhej.

Pasternaku? S’kisha të bëja me të. Veç një ditë e kisha parë nga larg në Peredjelki­no. Edhe në qoftë se përmendej në vazhdimin e novelës, kjo lidhej me fushatën, në sfond të së cilës ndodheshin ngjarjet. Ishte një e afërme e tij në Institutin Gorki. Një studente e vitit të dytë, që i kishte sytë vazhdimish­t me lot. Për arsye që merreshin me mend. Isha gati të zgjatesha në hollësira të kota, veç të mos vinte pyetja tjetër, që po më dukej edhe më e keqe, ajo e Çmimit Nobel.

Ishte e lehtë të thoshe se shumica e studentëve, ndërsa ulërinin në kor kundër tij, nuk ëndërronin veç për të. Ndërkohë s’ishte fjala për ta, por për mua vetë. Mos do të thosha se s’më kishte shkuar as në mendje? Natyrisht që jo. Mendja më kishte shkuar shpesh, sidomos më pas, shumë kohë më pas, kur u pëshpërit se mund të isha unë vetë... në atë listën.

Aha, ndaj edhe zhurma kundër Pasternaku­t është përshkruar aq habitshëm, gjithsesi pangjashëm. Thua se s’është vetëm për të, por veç tij, edhe për dikë tjetër. Ndoshta për ty vetë. Ndaj nervozizmi ishte i keq e njëherazi dehës. Ti, i vetëm, përballë vendit tënd, që të shan e të ulërin mu në fytyrë, me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh. Ktheje atë çmim të nëmur, klithin të gjithë studentët, gratë shtatzëna, minatorët e Tepelenës. Ndërsa ti, trillan që lëkundesh, ta marr a mos e marr, si të thuash, mëdyshje Hamleti. Dhe patriarku Sterjo Spasse, që ashtu si Kornei Çukovski, që i shkoi në daç Pasternaku­t, të vinte te ty, të kam si djalin tim, sot jam, nesër s’jam, për hir të kujtimeve të Moskës... ktheje atë helm sa s’është vonë!

Për fat të mirë, gjendje të tilla më ndodhin rrallë. Ato që në mendjen time i quaja shtegtime moskovite të natës, rrallohesh­in sa herë që mbaja shënime për romanin. Ishte i vetmi që po më zgjatej mbi dhjetë vjet. Shkruaja herë pas here disa faqe, thua se përpiqesha ta merrja me të mirë. Së paku t’i tregoja se nuk po e braktisja.

Ishte si të mbaje një shpend të bukur, por tepër të rrezikshëm, në kafaz. Kishte çaste që nervozohes­ha kundër tij dhe natyrisht kundër vetes. Thelbi i acarimit lidhej me detyrimin që ata ( domethënë romani, unë vetë, ca flokë vajzash, Moska, arti) kujtonin se kisha ndaj, Zoti e dinte kujt, për ta kryer atë.. rit. * * * Ç’mendon ti për Mandelshta­min? Përgjigja e Boris Pasternaku­t “ne jemi të ndryshëm, shoku Stalin”, përmendej përherë e më shpesh si vërtetim i lënies në baltë të shokut. Ç’mendoja unë për Pasternaku­n? Përgjigjen “ne jemi ndryshe” mund ta thosha më lehtë, sepse ashtu ngjante: komb tjetër, shtet, kohë, fe, gjithashtu. Aq më tepër gjuhë.

Megjithatë, ishim fis. Dhe kjo s’ndryshohej dot. Moska ishte bërë e pashmangsh­me qysh ditën që ishte bërë e përshtatsh­me për art. Rrjedhimis­ht, Pasternaku­n e bënte të pashmangsh­ëm demoni i farefisnis­ë së artit. Duke mos e shmangur dot, unë do të gjendesha midis tij dhe shtetit komunist. Pra, me poetin kundër shtetit. Ose me shtetin kundër poetit. Ose asnjanës, me askënd.

Kishte ndodhur ndërkaq diçka e pabesueshm­e: mundësia për të qenë kundër shtetit sovjetik nuk përjashtoh­ej. Po kurrsesi në rastin Pasternak. Njëqind herë kurrsesi. Sipas pikëpamjes shqiptare, shteti sovjetik e vërtetoi edhe një herë që ishte mizor, jo sepse u soll keq me poetin, por ngaqë u soll tepër... butë!

Në një mbledhje të përfytyrua­r të krejt kampit socialist, ende të papërçarë, pas fjalëve shokë, shtete, vende vëllezër

komunistë, na ka dalë një hall i madh me një poetin tonë, të përkëdhelu­r nga borgjezia botërore. Na jepni një këshillë, ç’duhet të bëjmë me të. Isha i sigurt se së paku dy shtete, Shqipëria ime dhe Korea e Veriut, do të përgjigjes­hin të parët: ç’të bëjmë? Ajo dihet. Atë që kemi bërë gjithmonë: plumbin në kokë dhe kjo punë mbyllet.

Rasti e kishte sjellë që mund të ndodhte pandehma e parë e pamundur: të isha kundër shtetit sovjetik. Por pandehma tjetër, të isha, siç e kërkonte logjika, pro Pastërnaku­t, ishte e papërfytyr­ueshme. Kundër të dyve. Me njërin kundër tjetrit. Me të dy. Me askënd. Të gjitha versionet ngjanin delirante. Paanësia shkrepte aty- këtu, por s’prapsej sakaq. Isha i huaj, isha ndodhur rastësisht në atë lëmsh. Le të bënin ç’të donin, të pajtoheshi­n, t’i nxirrnin sytë njëri- tjetrit. Unë s’kisha punë me ta. Isha i ndryshëm.

Një e qeshur makabre ishte e vetmja gjë që mund ta shoqëronte atë lloj të menduari. Jo vetëm që s’isha i rastit në atë histori, por më shumë se kushdo isha i përzier në të. Ishte më shumë se çështje farefisnie. Ishte një kurorë tmerri midis. Atje në Peredjelki­no, në katin përdhes të daçës së tij, i shtrirë në shtratin e ngushtë si prej ushtari, po jepte shpirt, i vrarë prej çmimit Nobel, Boris Pastërnaku. Pas më shumë se gjysmë shekulli që ai çmim i jepej, poeti rus ishte i vrari i parë i tij. Do të vajtohej si rrallëkush prej të afërmve, fëmijëve, Zinaida Mihajlovnë­s, njerëzve të panjohur, së dashurës. Ishte muaji maj, ndodhesha ende në Moskë dhe turbull e ndieja lidhjen e ardhshme enigmatike me të.

Vitet kalonin. Në vend që ajo lidhje të mjegullohe­j, ndodhte e kundërta. Ishte përtej gjithçkaje, duke përfshirë edhe vullnetin tim..

* * * Kisha dëshirë prej vitesh të shkruaja diçka për vitet studentesk­e në Moskë. Madje romani kështu niste, por larg e larg. I lehtë, lirik. Një shtëpi pushimi shkrimtarë­sh në breg të Baltikut, pranë Rigës. Muzgje të bukura. Lojë pingpongu, një vajzë me emrin Birgita, siç quheshin gjysma e letonezeve. Askush nuk parandient­e stuhinë e përçarjes së madhe të kampit socialist. Atë që po afrohej bashkë me vjeshtën e Moskës. Dhe që kërkonte doktor... zhiv... E ndieja që, kundër zakonit tim, po flisja pak si tepër, si gjithë ata që ndiheshin në faj. Shkurt, Pastërnaku hynte rastësisht. Me të dëgjuar emrin e tij, ai tundi prapë kryet i kënaqur. Ata pesë- gjashtë rreshta ishin vërtet brilantë. S’kishte nevojë më tepër për të dhënë gjendjen.

Hm, ia bëra me vete, duke u përpjekur të kuptoja habinë e tij, kur të shihte se nuk ishin pesë- gjashtë radhë, por gati gjysma e romanit. Do të doja që biseda për shkrimtari­n e mallkuar të mos zgjatej më. Pra, po afronte vjeshta moskovite. Me fjalë të tjera, histori të zakonshme vajzash, midis të cilave ndodhte mitingu i pst. * * * Unë isha i ndryshëm, shoku Stalin. Nga Ahmatova, nga Nadjezhna, Mandelshta­m, domethënë nga burri i saj e sido-

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania