Kapsolla të rrezikshme, në hetim 3 pronarë dyqanesh
Kontrollet pas plagosjes së efektives Ina Nuka në protestë
Policia e Shtetit prej 5 ditësh ka vënë në zbatim një plan masash për kontrollin e dyqaneve dhe tregjeve që tregtojnë apo shesin lëndë plasëse dhe piroteknike.
Kontrollet kanë filluar prej datës 28 nëntor, nisur nga ngjarja e fundit, ku gjatë një proteste para Parlamentit mbeti e plagosur nga kapsolla një punonjëse Policie, si dhe nga shqetësimet e shumta të qytetarëve që kanë denoncuar në numrin 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Dixhital”. Gjithashtu, Policia deklaron se ky plan masash është vënë në zbatim edhe duke parë rrezikshmërinë e lartë për jetën që kanë këto mjete shpërthyese. Policia e Shtetit prej disa ditësh vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave për kontrollin e tregjeve dhe bizneseve, që kryejnë aktivitet në tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha bizneseve që të mos tregtojnë kapsolla apo lëndë piroteknike, si dhe të plotësojnë kushtet dhe kriteret për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve komfort ligjit. “Policia e Shtetit iu bën thirrje prindërve që mos të lejojnë fëmijët të përdorin të tilla mjete shpërthyese, pasi janë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të tjerëve, si dhe fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin ‘ Komisariati Dixhital’”, tha dje Policia e Shtetit.
KONTROLLET Në këtë kuadër, bazuar dhe në Ligjin nr. 9126 të vitit 2003 “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe urdhrit të ministrit të Brendshëm datë 08.05.2015 “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kri- teret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin nga strukturat e Policisë është ushtruar kontroll në subjekte ( dyqane dhe tregje) për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve. Janë kontrolluar 1136 subjekte ( dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës. Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 643 kapsolla, si dhe 487 fishekzjarrë që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpër- thyese me rrezikshmëri për jetën. Janë dërguar materialet për vlerësim në Prokurori për 3 subjekte, ku janë gjetur dhe sekuestruar kapsolla. Kontrollet janë përqendruar edhe në verifikimin e plotësimit të masave shtesë të sigurisë, si kamera dhe fikse zjarri.