Panorama (Albania)

Lamtumirë Niko Kirka!

- SKËNDER SHKUPI

E njoha për herë të parë në Nju Jork, ku na bashkoi një mërgim i detyruar. U bëmë shumë shpejt miq të afërt. Ai ushtronte tek unë një tërheqje të veçantë që buronte nga afria e madhe e pikëpamjev­e tona mbi kombin, historinë tonë të përgjakur dhe zigzaget politike të viteve pas shembjes de- jure të diktaturës komuniste. Por ndryshe nga unë që qëndroja disi gjakftohtë edhe kundrejt absurditet­eve më të pabesueshm­e të ish- komunistëv­e, që bënin të pamundurën për ta shpëlarë disi, qoftë edhe me ujë të ndotur, realitetin e shëmtuar të viteve 1944- 1991, Niko Kirka shpërthent­e. Ai nuk kursente askënd, qoftë edhe njeriun më të afërt që shfaqej si ‘ vërejtës objektiv’ për të maskuar subjektivi­tetin e tij të tejskajshë­m në analizat e situatave të kaluara që përjetoi një komb i tërë për gati pesëdhjetë vite të gjata vuajtjesh e mjerimi të paparë, që deformuan deri ADN- në e racës sonë.

Nuk e di pse shpesh më ngjante si rilindës i mirëfilltë ( kuptohet, s’është fjala për ata modernët, ngjyrë mavi), diçka ndërmjet Petro Nini Luarasit dhe Themistokl­i Gërmenjit, njeri i mendjes dhe i veprimit, me një vendosmëri të rrallë në mbrojtje të interesave të kombit,- për të cilat unë kisha krijuar bindjen time të patundur, - ai nuk do të kursente asgjë, as edhe jetën e tij. Sa vuante tek vërente që punët në Atdheun e largët nuk venin mbroth. Si bir i denjë i Kristo Kirkës, njërit nga themeluesi­t e ‘ Vatrës’, mikut të afërt të Nolit e të Konicës, interesat e Shqipërisë ishin gjëja më e shenjtë për të dhe në asnjë rrethanë ai nuk pranonte të bënte kompromis për to. Sa më prekte kjo anë e karakterit të tij. Nuk është se këto tipare të Nikos u demonstrua­n vetëm në bisedat që bënim rëndom në lokalet e Nju Jorkut. Jo, jo, ai pat tërbuar xhelatët komunistë në kampin e tmerrshëm të Maliqit, të cilët të xhindosur nga qëndrimi i tij burrëror e lanë të lidhur në një hu në mes të kampit tri ditë e tri net, gjysmë të zhveshur, për ta thyer, për ta mposhtur, për ta nënshtruar. Por nuk e thyen dot.

E arrestuan më 1946, pasi e përjashtua­n nga gjimnazi i Korçës, fill pas burgosjes së Kristo Kirkës, ish- prefektit të atij qyteti, që shpëtoi qindra jetë njerëzore nga pushkatimi hakmarrës i nazistëve. Shpërblimi i komunistëv­e qé burgu. I njëjti fat ndoqi edhe të birin. Përplasjet e tij me policët e kampit ishin të përditshme. Por edhe reagimi i dhunshëm i xhelatëve të Tasi Markos, komandanti­t të kampit, ishte thellësish­t mesjetar. Në një vend të hapur, lidhur te një hu i trashë, me ca lecka mbi trup ngrihej si monument i qëndresës, në të ftohtit e hidhur të asaj zone, ditën e natën, figura sfiduese e Niko Kirkës si një Jezu Krisht i shekullit XX, që luftonte me tiraninë e kuqe sunduese mbi gjysmën e Europës.

Niko Kirka ishte këmbëngulë­s në përpjekjen që duhej bërë për rivlerësim­in e figurave të shquara të së kaluarës, të demonizuar­a nga komunistët. Të shumtë ishin shkrimtarë­t, studiuesit, politikanë­t e diplo- matët, të cilëve u qé hedhur baltë nga historianë­t komunistë. Përfaqësue­si më i spikatur i tyre ishte pa dyshim Mid’hat Frashëri.

Me nismën e tij u nisëm, bashkë me mikun tonë të përbashkët Pëllumb Kullën, rreth 12 vjet më parë, në varrezat e Nju Jorkut, për t’i bërë homazh njërit prej burrave më të mëdhenj të shqiptariz­mës, Mid’hat Frashërit. Arritëm atje dhe me ndihmën e hartave të përpikta që na dorëzuan nëpunësit e varrezave gjetëm atë që kërkonim. E vështroja me kureshtje Nikon tek qëndronte thellësish­t i menduar përpara varrit të shqiptarit të madh. Ishim që të tre mjaft të emocionuar. Ai nuk nguroi ta quajë Mid’hatin një ndër etërit e kombit të shekullit XX për ndihmesën e tij të jashtëzako­nshme në emancipimi­n europian të shqiptarëv­e, si një mbartës i denjë i ideve dritëdhënë­se të prindërve të tij.

Për vite me radhë takoheshim çdo të shtunë paradite te ‘ Kafja e Kuksianit’ në Rrugën 186 të Bronksit. Bisedat me Nikon ishin të këndshme. Ai kishte njohuri shteruese në temat politike dhe ato historike. Interesant është fakti që nëse ndokush mundohej të shfajësont­e ndonjë të afërm të tij për mëkatet që kishte bërë në të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, Nikoja ia priste me ‘ sëpatën e dardharit’. I tillë ishte ai, armik i mashtrimit dhe i hipokrizis­ë.

U përpoqa ta takoja Nikon e sëmurë para tri javësh kur gjendesha në Nju Jork. Por qé e pamundur. Meri, gruaja e tij fisnike që i qëndroi gjithmonë pranë atij burri të papërkulur e trim, më kërkoi ndjesë : ‘ Është në gjendje kome, – më tha në telefon, – nuk njeh njeri’. Dy pika lot më rrodhën padashur. E parandjeva të keqen. I kthyer në Tiranë mora vesh lajmin e hidhur. Niko Kirka, ky rilindës i fundit, ndërroi jetë.

Lamtumirë i dashur Niko! Të qoftë i lehtë dheu i Amerikës, Atdheut tënd të dytë, dheu i atij vendi që u bë limani shpëtimtar i qindra mijëra shqiptarëv­e të përzënë nga trojet e tyre prej trilleve tekanjoze të historisë sonë të dhimbshme.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania