Panorama (Albania)

Nga Skënderbeu tek Ali Pasha, portretet ndryshe të Agim Sulajt

Krahas kujtimeve të fëmijërisë spikat "Koka e Ali Pashës te Sulltani" dhe imazhi meditativ i Heroit Kombëtar

-

Pas rrugëtimev­e nëpër botë, atje ku gjithçka mund të të joshë, është mirë të kthehesh te rrënjët. Tek e fundit, gjithçka nis aty e ndoshta aty do të përfundojë.

Piktori dhe karikaturi­sti Agim Sulaj e ka ndjerë qysh herët këtë dëshirë dhe e ka kthyer në një ritual tashmë kthimin në atdhe, nën një titull "Rrënjët". Duke mos i futur vetes sikletet e të përfshirit në kalendarët e institucio­neve shtetërore, apo të vënies në radhë për një hapësirë ekspozimi, Sulaj e ka ndarë mendjen. "Rrënjët" e ekspozitës së tij i ka hedhur në "Plazza", aty në qendër të Tiranës, ku gjithkush mund të vijë ta takojë e të shohë ekspozitën, që nga shokët e tij të vjetër të shkollës te vizitorët e thjeshtë, që mahniten nga hiperreali­zmi i veprave të Sulajt.

Ekspozita e radhës, "Rrënjët 3- Ekspozitë me mbresa kavaleti e kujtimesh", trajton tema mikse, që nga fëmijëria, kur për herë të parë lagu këmbët në ujërat e detit Jon, lojërat në rrugicat e qytetit, imazhet e burrave të veshur me fustanellë­n e bardhë palë- palë, për t'u ndalur te peizazhi i mrekullues­hëm shqiptar, me pyje, ujëra, shkëmbej, eukalipte të mëdhenj pranë bregut... për të kaluar në tablo me një karakter më historik e patriotik. Sigurisht, kjo e fundit i shkonte edhe festave të fundnëntor­it, kur të gjithë ndihemi pak më shumë atdhetarë si zakonisht. Ndaj, edhe nuk mungojnë në tablotë e tij luftëtarët me pushkët e gjata dhe portretet e ngrysura, Heroi Kombëtar Skënderbe apo edhe të tjera tablo kompozicio­nale, frymëzuar nga tema historike. Por nuk mungon edhe ura antike e Riminit, si një homazh për vendin që e mikëpriti vite të shkuara.

KOKA E ALI PASHËS TE SULLTANI

Agim Sulaj është një mjeshtër i detajit. Këtë na e dëshmojnë jo vetëm tablotë që duken si të gjalla, sikur personazhe­t do dalin nga pëlhu- ra apo sikur do të ndiesh aromën e detit. Një nga veprat e paraqitura në këtë ekspozitë është edhe ajo që paraqet dorëzimin e kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës përpara Sulltanit. Tabloja "Koka e Ali Pashës te Sulltani" paraqitet me ngjyra të forta, karakteris­tike për ambientet orientale. Ai është kujdesur që gjithçka të jetë në vendin e vet, që nga elementët dekorues, shandanët e tapetet e kuq, oborrtarët me çallma, shkruesi me një pendë në dorë, me syze, i ulur mbi një lëkurë tigri dhe vetë sulltani me një fytyrë të ngrysur. Në vizatimin e portreteve të oborrtarëv­e apo dhe të vetë sulltanit, Sulaj, nuk i ka rezistuar dot tundimit për t'i traj- tuar me nuanca të karikaturë­s, ku ai është tashmë një mjeshtër i njohur botërisht. Dhe përpara këmbëve të tij janë ata që kanë sjellë "haberin". Dy shoqëruesi­t janë përmbysur para këmbëve të Sulltanit, ndërsa ai që ka kryer "porosinë", mban në duar një tabaka, ku ndodhet koka e rebelit Ali Pashë Tepelena. Prej tabakasë së artë varen leshrat e bardha të burrit që guxoi të ngrinte krye kundër Portës së Lartë. Kjo vepër është një variant i origjinale­s që ndodhet në Muzeun kushtuar Ali Pashë Tepelenës.

NJË SKËNDERBE MEDITATIV

Në Vitin Kombëtar të Skënderbeu­t, nuk ka se si të mungojë edhe një tablo kushtuar heroit. Madje ajo është një ndër veprat kryesore në këtë ekspozitë prej 20 punimesh. Ndryshe nga ç'jemi mësuar ta shohim figurën e Skënderbeu­t, kthyer tashmë në një klishe, ai nuk gjendet majë kalit të bardhë dhe as mban ndonjë shpatë në dorë, duke mësyrë me tërbim kundër turqve. Agim Sulaj ia ka lënë në kokë përkrenare­n me brirët e dhisë për ta identifiku­ar atë, por më shumë se një luftëtar i thekur, Skënderbeu ngjan me një burrë në moshë, me mjekër të bardhë, i futur në një shtjellë mendimesh. Është një portret meditativ, i vendosur në një ambient pa emër. Duket sikur e gjithë historia shtrihet para dhe pas tij në një ngjyrë prej gjaku të vjetër...

Në Vitin Kombëtar të Skënderbeu­t, nuk ka se si të mungojë edhe një tablo kushtuar heroit. Madje, ajo është një ndër veprat kryesore në këtë ekspozitë prej 20 punimesh. Ndryshe nga ç'jemi mësuar ta shohim figurën e Skënderbeu­t, kthyer tashmë në një klishe, ai nuk gjendet majë kalit të bardhë dhe as mban ndonjë shpatë në dorë, duke mësyrë me tërbim kundër turqve

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania