Panorama (Albania)

Përtej euforisë së një proteste...

- JONILA GODOLE

Studentët në protesta gjithmonë e kanë çuar shoqërinë shqiptare një hap më përpara, historia shqiptare e ka treguar këtë. Megjithëse një nga kërkesat e studenteve u miratua sot nga Ministria, lista e problemeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhersh­me është shumë më e gjatë se katër pikat që ngrenë ata.

Më kujton pak protestën e studentëve më 8 dhjetor 1990, ku ata kërkuan fillimisht përmirësim të kushteve ekonomike ( njësoj si studentët tani kërkojnë heqje tarife dhe përmirësim të konvikteve), por jo rrëzim të regjimit komunist, madje edhe i mbështetën me naivitet reformat, gjoja, “demokratik­e” të Ramiz Alisë. Shumë më vonë, pasi u siguruan të gjitha palët se komunizmi kishte rënë përfundimi­sht, skema ndryshoi: me hir apo me pahir, protesta mori nota politike për ndryshimin e sistemit, edhe pse fatkeqësis­ht nuk mundi ta rrëzojë dot atë plotësisht.

Protesta, edhe pse e mbështes fuqimisht, tregon fatkeqësis­ht se ne shqiptarët ngrihemi në këmbë vetëm kur na prekin te “leku”. Ngrihemi për tarifën, nuk ngrihemi për kapjen e sistemit arsimor nga politika dhe mediokrite­ti, për korrupsion­in; për paralizimi­n e kërkimit shkencor në të gjitha instancat e saj, pasojat e të cilit i kanë mbi supe nxënësit, studentët dhe gjithë shoqëria; nuk ngrihemi për fenomenin e plagjiatur­ës, që ka pllakosur pedagogë e studentë. Nga ana tjetër, nuk ngrihemi për mbushjen e auditorëve me analfabetë që vetëm me shkollën nuk kanë lidhje, por politika sa finoke aq edhe mendjeshku­rtër i rras nëpër fakultete për të ulur fiktivisht statistika­t e punësimit të rinisë. Për mungesën e shkollave të mesme profesiona­le, që do të shfrynte shifrën e kandidatëv­e të denjë për universite­t; për kushtet barbare në të cilat zhvillohet ora e mësimit - klimaterik­e dhe teknike; për dhunimin e mendimit të lirë të rinisë nëpër auditorë nga mendësitë e ngushta të profesorëv­e, duke përgatitur vit pas viti qenie robotike, që nuk dinë të mendojnë, ose qenie oportunist­e që zor se do sjellin ndryshim në fushën ku do punojnë. Nuk ngrihemi për të mbrojtur studentin e talentuar që braktis vendin se këtu punën e gjen me mik më kollaj shoku i tij që nuk njeh as auditor dhe as mësim etj., etj., etj., etj., etj., etj., etj., etj., etj., etj., etj...

Me pak fjalë: Protesta e studentëve sot është një shenjë e mirë se na zgjon nga plogështia dhe na kujton ne si shoqëri civile dhe institucio­neve të tjera sa shumë gjëra nuk shkojnë në këtë vend, ku politika vazhdon të jetë pa vizion dhe për më keq e kthyer kundër qytetarëve të saj. Por, euforia nuk duhet të na marrë mendjen që të mos ngremë kërkesa më afatgjata, përtej interesit të ngushtë material, nëse duam të ndryshojmë vërtetë diçka për veten sot dhe të tjerët pas nesh.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania