Pedagogët, pro studentëve: Qeveria t’i marrë seriozisht

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Studentët kanë marrë edhe mbështetjen e pedagogëve të tyre. Disa i kanë mbështetur drejtpërdrejt e të tjerë janë mjaftuar me reagime pozitive nëpër rrjetet sociale. Po dje, Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ka shprehur hapur mbështetjen përmes një deklarate për mediat, ku i shpjegon qeverisë se kauza e tyre është e drejtë dhe i kërkon madje ta marrë seriozisht. “Forumi për liritë akademike mbështet kërkesën e drejtë të studenteve për heqjen e tarifës së provimeve për studentet përsëritës në universitetet publike shqiptare. Një tarifë e tille është jo vetëm e pajustifikuar nga çdo anë që ta shohësh, pasi universitetet nuk kanë asnjë kosto shtesë për provimet e përsëritura, por rëndojnë në mënyrë artificiale kostot e studimeve universitare të studentëve shqiptarë. Kërkojmë nga qeveria shqiptare që ta marrë seriozisht shqetësimin e studenteve dhe të plotësojë menjëherë jo vetëm kërkesën e tyre të drejtë për heqjen e tarifës, por edhe për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës në konvikte si dhe të kushteve mësimore në auditorë”. Koordinatori prof. assoc. dr Mark Marku i kërkon qeverisë të marrë seriozisht kërkesat e tyre. Ky forum me pedagogë të njohur është krijuar përpara disa vitesh, duke kërkuar pareshtur amendime në ligjin për arsimin e lartë. Ndërsa këtë vit doli me një platformë me 100 objektiva që i shërbenin rritjes së cilësisë së mësimdhënies përmes një reforme totale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.