Nikolla, inspektim në konvikte: Në janar do t’i provoni investimet

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Teksa oborri i Ministrisë së Arsimit gëlonte nga zërat e studentëve të revoltuar, ministrja Lindita Nikolla zgjodhi të inspektojë punimet për rikonstruktimin e konvikteve te “21 dhjetori”. Duke mos thënë asnjë fjalë për protestën, ministrja nuk e la pa prekur atë tangjent. Ajo u premtoi studentëve që protestojnë prej ditësh, se për një muaj do të shohin rezultatet konkrete të një prej kërkesave të tyre. “Në janar studentët do ta provojnë vetë se çfarë do të thotë të investosh me standarde dhe ta kesh prioritet jetesën e studentëve. Hera e parë që investohet 18 milionë euro dhe besoj do të kemi ndihmë për të pasur edhe më shumë projekte investuese”, nënvizoi Nikolla duke theksuar se investimi për godinat e studentëve është prioritet i qeverisë, pasi janë akorduar 18 milionë euro. Ky projekt do të shtrihet edhe në Qytetin Studenti, duke prekur disa godina. “Është godina e tretë nga katër godinat këtu në Qendrën Studentore Nr. 2, që do të akomodojë studentë të inxhinierisë. Është një projekt që vijon edhe në Qytetin Studenti dhe do jetë projekti që do shtrihet fillimisht në 9 godinat e Qytetit Studenti dhe më pas në të gjitha godinat e tjera”. Investimi që po kryhet pranë Qytetit Studenti Nr. 2 te “21 dhjetori” po bëhet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Republikën Federale të Gjermanisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.