Pas ndarjes nga Mimoza Shkodra, Seldi Qalliu shfaqet çift me Keisin, vajzën seksi të Sabianit

Panorama (Albania) - - PANORAMA PLUS -

Disa muaj pasi Seldi Qalliu u nda nga këngëtarja Mimoza Shkodra, ai po vazhdon karrierën e tij në Tiranë, ndërsa e shohin në garën VIP të spektaklit “Dance with Me”. Ndërkohë që në atë garë e shohim në krah të partneres Rashel Kolaneci, në evente ai shihet në shoqërinë e vajzës së Sabianit, Keisi Medinit. Ata janë fotografuar në sfilatën e “Xhoi& Xhei” pak ditë pasi është vënë re një afrimitet i tyre në rrjetet sociale, ku shkëmbejnë mesazhe apo emoji me puthje e zemra. Por, sipas burimeve tona, pas këtij afrimiteti fshihet një bashkëpunim, një këngë e re që pritet të publikohet së shpejti. Keisi do të jetë kështu këngëtarja e parë në duet me Seldin, pas ndarjes së tij nga Mimoza, fejesa me të cilën u shoqërua me shumë bashkëpunime. Direkt pas fejesës me Mimozën, ai realizoi klipin “Dashni”, me një fabul dedikuar historisë së tyre, që nga njohja si kolegë në vitin 2012. Nga ana tjetër, vajzën e Sabianit do e shohim për herë të parë në debutim muzikor pas zërave se do të bashkëpunonte me Noizyn. Para pesë muajsh, 17- vjeçarja ngriti temperaturat në klipin e të atit. “Pa ty dashni”, titullohej klipi i Sabianit me Marselin, ku si imazh pamë vajzën e tij aq shumë të komentuar në media për pamjen. Ndërkohë që kishte kohë që flitej se vajza e tij do i hynte muzikës si këngëtare e grupit “OTR”, Sabiani e prezantoi vajzën si modele në klipin e tij. Keisi është vajza nga martesa e parë e Sabianit, e cila në këtë klip shfaqet me gërshetat e të atit.

Ajo është 17 vjeçe dhe u bë e famshme në një kohë të shkurtër, pas një interviste që dha për një televizion të Kosovës. Sipas Sabianit, ajo nuk është vetëm një modele e pëlqyer, por ka dhe zë shumë të bukur në të kënduar. Për babain e saj, Sabianin, i cili ka një karrierë të gjatë në tregun muzikor, fakti që e bija e tij po bën bujë në kohë të shkurtër nuk është rastësi. “E vërteta është që s’e kisha menduar ta bëj të famshme vajzën. Çdo gjë po ndodh në një mënyrë të habitshme nga një miniprezantim që i bëra në një nga intervistat e mia rutinë. Dhe ja, tani s’po ndalen më portalet…” Sa i takon talentit për të kënduar, ai përgjigjet: “Mua më ngjan me Jessie J, por edhe me Rihannën. Ka diksion, ngjyrë, tingull. E çuditshme, i ka dhënë Zoti bukuri dhe vokal të mrekullueshëm!”, thotë ai. Ndërsa në lidhje me komentet që bëhen për jetën e saj luksoze, përgjigjet: “Jetë luksoze s’mund të them. Por asgjë s’i mungon nga ato që kërkon të ketë e që ka nevojë. S’e kam idenë se kujt i thonë ‘ luks’, gjithsesi çdo gjë me një cak dhe pa ekzagjerime”, shprehet Sabiani. Le të shohim se sa talent do të ketë ajo si këngëtare në duetin me Seldin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.