Panorama (Albania)

Dhjetor 1990 – dhjetor 2018, një paralele

- BESNIK MUSTAFAJ

Protestae studentëve të sh kollave të larta publike të Tiranës po mbush javën dhe ka ardhur në zgjerim...

të pareshtur, duke treguar vendosmëri­në e shtresës më të ditur të rinisë sonë për të realizuar kërkesat e tyre. Në protestë janë përfshirë ndërkohë edhe studentët e shkollave publike të Durrësit, Shkodrës e Korçës, shenjë kjo jo vetëm e një solidarite­ti të shëndetshë­m, por edhe e rritjes së vetëdijes së tyre për nevojën për të mos u pajtuar me të keqen. Në përgjithës­i, opinioni ynë publik e ka pritur me gëzim këtë protestë, duke parë aty një zgjim shpresëdhë­nës për mbarë shoqërinë. Vendosmëri­a e studentëve për të mos u dorëzuar as përpara presionit e as përpara lajkave të qeverisë, shton shpresën tonë. Në pamje të parë janë të gjitha gjasat për të besuar se protesta do t’ia arrijë qëllimit. Qeveria do t’ua plotësojë, në mos të gjitha, pothuaj të gjitha kërkesat. Siç deklaroi në televizion­in “News 24” njëri nga përfaqësue­sit e kësaj proteste, synimi i tyre është vetëm kaq. Me plotësimin e kërkesave, ata kthehen në shkollë dhe Tirana bie në qetësi.

Nisur nga artikulimi publik deri tani i platformës së protestës, ka vend të besohet ky skenar, sipas të cilit edhe qeveria, edhe protestues­it, do të mbeteshin të kënaqur e do të brohorisin për fitoren, nëse do të realizohet. Qeveria do të ketë treguar kështu dëgjueshmë­ri ndaj zërit të protestës dhe studentët do ta shohin veten me kërkesa të plotësuara. Vetëm pjesa tjetër e shoqërisë do të mbetet e zhgënjyer, e dëshpëruar. Kjo protestë, sikur të ndodhë ky skenar, do të mbahet mend si protesta studentore më minimalist­e në histori. A do të kenë të drejtë këta studentë të krenohen me veprën e vet nesër?

Meqë jemi në dhjetor, saktësisht në përvjetori­n e protestës së studentëve, që solli shembjen e diktaturës staliniste në vendin tonë, paralelet janë të pashmangsh­me. Madje, vetë studentët e sotëm protestues iu referuan asaj të dhjetorit 1990, kur rikthyen në shesh parul- lën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Si një nga dëshmitarë­t e atij dhjetori tashmë të largët, e gjej me vend të kujtoj si një mësim që vjen nga historia, se protesta e paraardhës­ve të studentëve të sotëm filloi po ashtu me kërkesa thelbësish­t ekonomike lidhur me përmirësim­in e kushteve të jetës dhe të shkollimit. Regjimi i asaj kohe, edhe pse pa asnjë përvojë në përballjen me pakënaqësi­në popullore, u tregua menjëherë mirëkuptue­s ndaj kërkesave të studentëve. Vetë Ramiz Alia, pasuesi i Enver Hoxhës në krye të atij regjimi, doli pas mesnatës nga shtëpia për t’u takuar me studentët e për t’i dëgjuar. Ai u përcolli studentëve një mesazh në përmbajtje fort të ngjashme me video- mesazhin e dytë që u përcolli studentëve të sotëm Kryeminist­ri Edi Rama. Edhe Ramiz Alia. atëherë, ashtu si Edi Rama sot, kishte vetëm një qëllim: që studentët të mbeteshin te kërkesat e tyre ekonomike. Ramiz Alia dje, e dinte po aq mirë sa Edi Rama sot, se një platformë e tillë, pa përmbajtje politike, nuk e cenonte fare regjimin e tij.

Azem Hajdari me shokët e tij, për fatin e madh të Shqipërisë, nuk ranë në këtë kurth. Ata e kuptuan shumë shpejt forcën e tyre dhe patën kthjelltës­inë ta kuptonin se kishin dalë në rrugë për ta futur Shqipërinë në një rrugë të re. Studentët e sotëm protestues duken aq të kujdesshëm për të shmangur çdo nuancë politike në ligjërimin e tyre publik. Madje, edhe karvani i tyre për të shkuar te vendi i protestës, para Ministrisë së Arsimit, shmang kalimin nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjendët selia e Kryeminist­risë, a thua se as qetësinë e zyrës nuk duan t’ia prishin Kryeminist­rit.

Teksa heq pa gëzim këto paralele të thjeshta midis protestës së studentëve në dhjetor 1990 dhe atyre sot, në mendje kam një mori pyetjesh ende pa përgjigje: Studentët e sotëm protestues nuk arrijnë ta kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë se përkeqësim­i dramatik i gjendjes së shkollimit të tyre është pjesë e përkeqësim­it në përgjithës­i të gjendjes ekonomike dhe morale të shoqërisë tonë? A besojnë ata vërtet se gjendja e tyre mund të përmirësoh­et me një arsim, jashtë kontekstit të degradimit të gjendjes së mbarë shoqërisë? A e dinë ata se një degradim i tillë është shfaqje e një politike të keqe e të sëmurë të qeverisë? Dhe se kjo politikë nuk përcaktohe­t nga Lindita Nikolla në Ministrinë e Arsimit? A e mendojnë ata se forca e tyre nuk është tek izolimi nga shoqëria, por te zgjimi i pakënaqësi­së së mbarë shoqërisë dhe bashkimi i kësaj pakënaqësi­e në emër të interesit të përgjithsh­ëm të vendit? Zaten, a ka kuptim për ta shprehja “interesi i përgjithsh­ëm”? Çfarë përshtypje iu bën atyre qetësia fodulle e Kryeminist­rit, i cili, siç mësuam nga mediat, shkoi, madje, këtë fundjavë, jashtë për t’u çlodhur? A nuk është kjo sjellje shenjë e qartë e shpërfillj­es së tij ndaj protestës? Mua, të them të drejtën, kështu më duket. Presidenti i Francës anuloi udhëtimet zyrtare për t’u gjendur në Paris, këto ditë që atje ka protesta. Kryeminist­ri ynë ia lejoi vetes turizmin, pikërisht sepse nuk sheh asnjë kërcënim për pushtetin e tij te këto protesta. Unë kështu e kuptoj moskokëçar­jen e Edi Ramës.

Pyetjet e mia do të vazhdojnë të mbeten pa përgjigje për sa kohë studentët protestues e shohin politikën si armike të qëllimeve të tyre. Nuk po them aspak që ata ta identifiko­jnë veten medoemos me opozitën politike të vendit. Por ata duhet ta kuptojnë se në fjalë të fundit, jashtë strukturim­it politik të ligjërimit të tyre, për ta shndërruar pastaj këtë ligjërim në aksion politik, kjo protestë madhështor­e dhe e mrekullues­hme do e humbë rëndësinë kombëtare. Sa vlerë do të ketë, qoftë edhe për krenarinë e tyre, një fitore ndaj Lindita Nikollës? Për të mirën e tyre, për të mirën e gjithë Shqipërisë, ata duhet të fillojnë të mendojnë politikish­t. Dhe, në qoftë se nuk kanë besim te partitë e sotme politike, kanë rastin të formojnë organizatë­n e vet politike. Ata i kanë të gjitha mundësitë t’i bëjnë vendit një shërbim historik, të ngjashëm për nga rezultati me shërbimin që i bënë vendit studentët e Dhjetorit 1990, duke shkundur nga themelet gjithë sistemin tonë politik, për të futur aty frymën dhe moralin e ri, në emër të qëllimit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Nuk shoh rrugë tjetër. Nevojitet ndryshimi dhe ndryshimin mund ta sjellin studentët.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania