Të shtëna me armë zjarri pranë Tregut Ushqimor, s'dihen autorët
TIRANE - Disa të shtëna me armë zjarri tronditën tregtarët dhe qytetarët që ndodheshin te Tregu Ushqimor, në afërsi të Qytetit të Nxënësve paraditen e djeshme. Policia u lajmërua për dy të shtëna dhe menjëherë shkoi në vendin e ngjarjes, por arriti të gjejë vetëm gëzhojat. Autorët ishin larguar menjëherë pas ngjarjes dhe askush nga dëshmitarët nuk ishte në gjendje të tregonte se çfarë kishte ndodhur. Policia tha se ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve. Megjithatë, deri tani ende nuk janë gjetur përgjegjësit. Më 3 dhjetor, një tjetër ngjarje ndodhi në të njëjtën zonë. Një dyqan u grabit me armë zjarri në orët e para të mëngjesit, nga 3 persona që kërcënuan dhe dhunuan pr- onarin. Ngjarja ndodhi rreth orës 06: 00, kur tre persona të armatosur dhe të maskuar u futën në dyqanin e tregtarit Eduard Alushi. Burime nga Policia thanë se autorët kanë arritur që të marrin dy steka me cigare dhe 30 mijë lekë që ndodheshin në arkën e dyqanit. Pronari Eduard Alushi u shpreh se ishte kërcënuar nga autorët, që sipas tij ishin të armatosur dhe siç duket nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, ata edhe e kanë dhunuar. Në një moment ai duket i shtrirë në tokë dhe dy nga autorët e dhunojnë, duke mos e lejuar të lëvizë e duke i mbajtur armën të drejtuar te koka. Ndërsa personi tjetër, të cilit nuk i duket fytyra, pasi mban në kokë kapuç, futet brenda dhe vjedh stekat e cigareve e paratë. Pronari thotë se në momentin që ata janë futur brenda, i kanë drejtuar menjëherë armën dhe nuk ka pasur mundësi që të lajmërojë Policinë, vetëm pasi ata janë larguar.