Rama i përgjigjet Metës: Inkursion antikushtetues, çizme rezervë e opozitës

“Po i hedh benzinë një zjarri për të anatemuar Presidentin e Kosovës dhe mua si gjoja pjesë e një konspiracioni për të ndarë Kosovën”

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Nëse Ilir Meta ka vendosur të drejtojë opozitën, apo ka vendosur ta kthejë Presidencën në një çizme rezervë të kësaj opozite të ikur për pambuk, ai mund ta bëjë, por unë sot kam borxhin t’ua them shqiptarëve. Unë nuk do të hyj në një konflikt institucionesh

Kryeministri Rama akuzoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta, se është bërë pjesë e një skenari që kërkon të anatemojë për tradhti kombëtare Presidentin e Kosovës dhe Edi Ramën përmes goditjes që i bën ministrit të ri të jashtëm, Genti Cakaj.

I ftuar në emisionin “Zonë e lirë” me gazetarin Arion Çani, në “Tv Klan”, Rama i cilësoi antikushtetuese qëndrimet e Presidentit ndaj dekretit të ministrit të ri të Jashtëm, ndërsa e cilësoi atë njeri i botës së vjetërM që nuk punon për Shqipërinë europiane dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Sipas Kryeministrit, Presidenti po sillet si çizme rezervë e opozitës, ndërsa shkel Kushtetutën në mënyrë të përsëritur. Ai u shpreh se qeveria e tij me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do t’i drejtohet asaj për të gjitha shkeljet e bërë nga Presidenti i Republikës.

Përse kjo përplasje me Ilir Metën për certifikatën e sigurisë së Genti Cakajt?

Në vitin 2016, Ilir Meta, si kryetar i Kuvendit, e ka marrë certifikatën e sigurisë brenda më pak se disa orësh për një aktivitet ku duhet të shkonte. Ilir Meta ka futur një praktikë të panjohur më parë në historinë e presidencës dhe që është në shkelje të plotë të Kushtetutës, e cila e ndalon që të ketë opinione, të cilat të përcaktojnë nëse ai e dekreton ose jo një ministër. Dua të kujtoj një fakt kur ka pasur një konflikt dhëmb për dhëmb politik mes Presidentit dhe një ministri të propozuar ka qenë konflikti mes Bujar Nishanit dhe Fatmir Xhafës. Bujar Nishani, i cili ishte një President totalisht politik i PDsë, së cilës i shërbente, edhe pse nuk e shihte dot me sy Fatmir Xhafën, e dekretoi sepse nuk kishte tagër që të mos e bënte. “Kushtetuta ma imponon ta dekretoj”,tha Bujar Nishani.

Pse Ilir Meta nuk e dekreton?

Ilir Meta ka ndërmarrë një inkursion antikushtetues të përsëritur, unë nuk e kam dashur dhe nuk e dua një konflikt institucional. Në këtë rast e kam thyer heshtjen time, por se në këtë moment Ilir Meta është angazhuar në një krim ndaj diturisë, në një krim ndaj pastërtisë dhe në një krim ndaj një djali, i cili mund të meritojë çdo gjykim nga opinioni publik, por nuk mund të tentojë njollosjen që Ilir Meta dhe të tjerë tentojnë t’i bëjnë, duke e përdorur si mish për top kundër Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, duke ngritur një teori konspiracioni qesharake, vulgare dhe antishqiptare, sipas të cilëve “kush mendokërka ndryshe nga këta, na qenka rrezik kombëtar”. Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur, me Sandër Lleshajn, e ka shkelur me kthimin në Parlament të ligjeve, që ai nuk ka të drejtë t’i kthejë për rishikimin e buxhetit, taksave etj.. Ilir Meta është aty si President për të garantuar Kushtetutën, unitetin kombëtar dhe për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe pushteteve. Nëse Ilir Meta ka vendosur të drejtojë opozitën, apo ka vendosur ta kthejë Presidencën në një çizme rezervë të kësaj opozite të ikur për pambuk, ai mund ta bëjë, por unë sot kam borxhin t’ia them shqiptarëve. Unë nuk do të hyj në një konflikt institucionesh.

Pse je kaq i shqetësuar për këtë debat?

Nuk jam aspak i shqetë- suar për veten time, jam i shqetësuar për faktin se Presidenti i Republikës ka përdorur zyrën e tij për t’i hedhur benzinë një zjarri që po tentohet të ndizet në Shqipëri dhe në Kosovë nga politikanët e llojit më të ulët dhe më të vjetër për të anatemuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe mua si gjoja pjesë e një konspiracioni për të ndarë Kosovën dhe për të tradhtuar Shqipërinë. Ky djalë i ri, i cili goditet sepse është aq i ri, saqë nuk ka lidhje me botën e tyre, është i aq i pastër se s’kanë çfarë i bëjnë sepse të gjitha letrat që kanë ardhur për këtë djalë nga të gjitha shërbimet, janë të pastra. Olta Xhaçka nuk e ka pasur certifikatën e sigurisë kur është dekretuar si ministër i Mbrojtjes. Prandaj kjo është arsye koti. Kjo është një maskaradë, një përpjekje për të kriminalizuar një njeri të pastër, të ditur. Unë nuk e kam marrë këtë djalë si një kosovar, por si një shqiptar europian. Por duke qenë nga Kosova, duan ta ushqejnë si mish për top. Po përse, që të ketë një konspiracion, duhet të marr unë një ministër kosovar. Nuk mund ta pranoj që në vitin 2019, një djali t’i vendosen këto barriera, në një vend që ka zgjedhur para 20 vjetësh Pandeli Majkon Kryeministër në moshën 30- vjeçare në kohë lufte.

E thua ti këtë, se Ilir Meta i di mirë gjërat që bën...

Unë di që Ilir Meta ka vepruar në mënyrë skandaloze dhe kriminale ndaj këtij djali. Pikërisht se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe prandaj Presidenti duhet të ishte më i përgjegjshëm, Presidenti bën gjëra të pamenduara fare. Këtu po përdoret një djalë, i cili ka lindur në Prishtinë, që vjen këtu si shqiptar i Kosovës dhe sulmohet si mish për top në qeverinë e Shqipërisë, si mish për top në një betejë që ushqehet nga politikanë që janë rreziku real i shqiptarëve, që janë politikanët e së shkuarës, që nuk e shohin dhe s’duan ta shohin as Shqipërinë moderne, as bashkimin e shqiptarëve me Kosovën, por shohin vetëm interesin e tyre të ngushtë politik. Unë u them të gjithë shqiptarëve, qoftë në Shqipëri dhe në Kosovë, se kush ju flet për konspiracion të madh, për skema të mëdha tradhtie kombëtare, janë ai dhe ata që duan t’ju mbajnë në bërllokun siç thonë kosovarët, nga ku unë dua t’ju nxjerr.

Pse nuk e shkarkon Ilir Metën si President?

Shkarkimi i Presidentit kërkon 2/ 3 e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo është logjika që përdor Meta, mua s’më shkarkojnë dot dhe bëj çfarë të dua. Mund të bëjë ç’të dojë, për turpin e Presidentit të Republikës, që në momente të caktuara del nga shinat dhe sillet si kryetar i LSI- së. Unë nuk jam këtu për të hapur një konflikt me Presidentin, por shqiptarët duhet ta dinë se Presidenti është në atë fazën që po thotë, çohuni rrëmbeni armët, se po i ikën LSI- së tepsia.

Edi Rama, ti duhet të deklarosh sonte solemnisht dhe publikisht nga kjo studio se s’ke kandidat tjetër përveç Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 30 qershorit?

Me ndihmën tende o Zot, u bëftë kjo realitet! Pra, po ai është? Ti tani do të përkthesh për Zotin, ua dhashë përgjigjen unë, lëre se e di vetë ai.

Kryeministri Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.