Basha kërcënon Ramën me konflikt civil, Kryemadhi: Të ngrihemi për interesin kombëtar

Presidenti ironizon Kryeministrin: Ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ERVIN KOÇI Presidenti Meta

Presidenti Meta u është përgjigjur qëndrimeve të Kryeministrit Rama se kreu i shtetit kishte shkelur Kushtetutën. Paraditen e djeshme, i pari që nisi debatin ishte vetë Presidenti.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Presidenti Meta ripësëriti qëndrimin e tij mbi çështjen Cakaj. Këtë herë, kreu i shtetit përdori edhe epitete ndaj Ramës, duke e cilësuar si “usta” dhe Cakajn si “gjeni”. Meta shkroi se Ministria e Jashtme nuk mund të jetë autoshkollë, duke shtuar se brenda Partisë Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e diplomacisë. “Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë ‘ gjeniun’ si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Presidenti Meta në postimin e tij. Krahas kësaj, kreu i shtetit, duke ironizuar qëndrimet e dhëna për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe ndikimit që ka në stabilitetin e politikës së jashtme shqiptare, ripërsëriti qëndrimin e tij se: “Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE- së”.

KONFLIKTI Që prej disa ditësh, ndërmjet maxhorancës dhe Presidentit Meta ka nisur debati në distancë që pas vendimit të këtij të fundit për rrëzimin e Gent Cakajt për ministër të Jashtëm. Tensionet ndërmjet palëve u rritën edhe më shumë pas kërkesës së kreut të shtetit për të ngritur një komision hetimor për procedurën e ndjekur nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Për këtë, Meta u shpreh se DSIK i ka dhënë certifikatën e sigurisë Cajakt brenda 24 orëve dhe ngriti dyshime për procedurën e ndjekur nga ky institucione. Por debati u ndez edhe më shumë, pasi të njëjtën kërkesë si Presidenti e bëri edhe opozita, e cila, nëpërmjet një shkrese zyrtare, iu drejtua Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar procedurën e ndjekur nga DSIK dhe jo vetëm. Opozita, në kërkesën e saj, kërkoi zgjerimin e hetimit nga Parlamenti ku në të, të përfshihet edhe roli i Këshillit të Ministrave dhe Shërbimit Informativ Shtetëror në dhënien e certi- fikatës së sigurisë për Cakajn. Por për këtë kërkesë duhet të pritet përgjigjja e maXhorancës, e cila deri tani nuk dha dhënë ndonjë qëndrim të saj, vetëm ka replikuar në distancë me Presidentin nëpërmjet rrjeteve sociale. Qëndrimi i maxhorancës është i nevojshëm, pasi kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor i paraqiten si projektvendim i Kuvendit për ta votuar në seancë plenare dhe për t’u miratuar kërkon 71 vota, gjë që çon në dhënien e konsensusit nga ana e Partisë Socialiste. Për këtë pritet që në ditët në vijim të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të miratojë kalendarin e punimeve të Kuvendit për sesionin e ri parlamentar, por edhe shqyrtimin e kërkesës së opozitës. Ndërsa për kërkesën e Metës duhet të shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, pasi Presidenti shkresën ia kishte dërguar kreut të legjislativit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.