Balla i përgjigjet Metës: Je zgjedhur me votat e PS

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Kreu i Grupit Parlament të PS, Taulant Balla, i është përgjigjur me një status në “Facebook” Presidentit Meta, duke theksuar se ai është zgjedhur nga votat e Partisë Socialiste. Krahas kësaj, Balla theksoi se Presidenti Meta duhet të ruajë qetësinë duke shtuar se po bëhet qesharak. “Zoti President, ne s’ju pengojmë dot të jeni Iliri qesharak që kemi njohur me shumë se sa njëherë kur Monika ia fut kokën në çizmen e saj! Por këto bumjet tuaja që po e bëjnë edhe Bujar Nishanin të duket si Xhefersoni, nuk impresionojnë dot më askënd. Por meqë ju kemi dhënë votën si President, ju ftojmë të ruani qetësinë sa të mundeni sepse duke u bërë ju qesharak, sigurisht edhe ne nuk ndihemi mirë”, theksoi kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Balla e lidhi qëndrimin e Presidentit Meta për të mos dekretuar propozimin e Kryeministrit për ministër të Jashtëm, Gent Cakaj, me reformën në Drejtësi. Sipas tij, kreu i shtetit synon të pengojë punën e maxhorancës për të vijuar Reformën në Drejtësi. “Ne s’jemi as PD, as LSI dhe s’kemi ndër mend të humbasim kohë me konflikte të kota me ju. Sepse ju s’keni asnjë shans dhe s’do keni asnjë mundësi të pengoni as punën tonë dhe as Reformën në Drejtësi, që e di Shqipëria dhe bota se sa shumë e dëshironi të realizohet”, theksoi kryetari i Grupit Parlamentar të PS- së. Ky nuk ishte reagimi i parë i Ballës për këtë çështje. Edhe më parë ai ka shkruar në facebook se: “Presidenti nuk mendon me as për Kushtetutën, as për dinjitetin e institucionit, po për lidershipin e opozitës! Ai sot ngriti flamurin e kryetarit imagjinar të opozitës në Presidencë dhe sulmoi Kryeministrin me të gjithë librin e SHQUP- it dhe LSI- së bashkë. Fatkeqësisht, ky është sot Ilir Meta, një President i votuar nga ne për të përfaqësuar edhe opozitën, tanimë i kthyer në kryetar alternativ opozite”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.