“Nuk ka komision që ndalon Presidentin të ushtrojë kompetencat e tij”

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, ka reaguar për kompetencat që ka kreu i shtetit për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Ai shprehet se: “Nuk ka komision garancish statutore që ndalon Presidentin e Republikës të ushtrojë kompetencat e tij të qarta kushtetuese për emërim e shkarkim ministrash”. Blushi, mes të tjerash, u shpreh se një gjë duhet të jetë e qartë për pengmarrësin e Reformës në Drejtësi, pasi rivendosja e rendit kushtetues dhe e ligjshmërisë në vend nuk do të ndalet. “Duhet të jetë e qartë për pengmarrësin e Reformës në Drejtësi: Aksioni për rivendosjen e plotë të rendit kushtetues e ligjshmërisë nuk ndalet!”, theksoi zëdhënësi i Presidentit. Reagimi erdhi pak orë pasi Kryeministri Rama në një qëndrim të tij në “Facebook” akuzoi Presidentin Meta si pengmarrës të Kushtetutës. Konflikti i radhës ndërmjet Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta erdhi sërish për çështjen e dekretimit të një ministri. Pas konfliktit për dekretimin e ministrit të Brendshëm Lleshaj në muajin nëntor, tanimë ajo është spostuar te drejtimi i diplomacisë shqiptare. Sipas Presidentit Meta, figura e Gent Cakajt është e papërshtatshme, ndërsa sipas Kryeministrit, Presidenti nuk ka të drejtë mos ta dekretojë një propozim për ministër. Pritet që debati ndërmjet kreut të ekzekutivit dhe kreut të shtetit të vijojë edhe në ditët e ardhshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.