Tri ditë ngujim, studentët sfidojnë të ftohtin e presionet

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Prej tre netësh, studentë të Drejtësisë, Ekonomikut, Inxhinierisë së Ndërtimit e Arkitekturës qëndrojnë brenda mjediseve të fakultetit, duke sfiduar të ftohtin e acartë e presione të ndryshme. Kyçja me dry e derës kryesore të Fakultetit Ekonomik me qëllim për të mos lejuar studentë të tjerë që të bashkohen në ngujim, ka shkaktuar tension midis të rinjve e punonjësve të sigurisë, të pajtuar për të ruajtur rendin e qetësinë në fakultet. Studentët thonë se e kanë kaluar natën në të ftohtë, me ato pak batanije që i kishin siguruar më herët, pasi rojet private nuk kanë lejuar të futet asnjë e asgjë brenda fakultetit. Kjo mënyrë, sipas tyre, po i çon drejt planit B, që është greva e urisë. "Ata janë njerëzit që duhet të zbatojnë ligjin, pa cenuar të drejtat tona. Përdorim çdo mënyrë tjetër për të jetuar, praktikisht edhe mund ta thuash se jemi në grevë urie. Ngrohja nuk ka qenë edhe kur kemi pasur mësim, jo më tani. Ka pasur momente kur kanë ikur dritat dhe bisedimet i kemi bërë me qirinj. Ka Polici përpara portës. Edhe në ndërhyrjen në Lazarat nuk i kam parë kështu", thotë studenti i Ekonomisë, Altin Kola, në një lidhje të drejtpërdrejtë me skype në emisionin "Kjo javë" në "News 24". Kjo situatë do të vijojë së paku edhe sot, ndërsa të hënën pritet të merret vendimi mbi hapin e radhës. Duke përfituar nga koha e gjatë e qëndrimit mes tyre, të rinjtë kanë vendosur dhe mënyrën e plotësimit të orëve të humbura edhe në rastin më të keq, të zgjatjes së bojkotit deri në mars. Në fakultetin e drejtësisë, aty ku bojkotojnë edhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, situata paraqitet gjithashtu e tensionuar. Disa të rinj thonë se janë dhunuar gjatë natës nga punonjës privatë. Po ashtu, protestues tek Inxhinieria e Ndërtimit kanë filmuar administratorin, teksa iu bën presion për të liruar ambientet. Studentët hedhin poshtë pohimet e qeverisë, e cila i etiketon si një pakicë që ka marrë peng auditoret, pasi shumica kërkojnë të bëjnë mësim. Një pyetësor i ndarë në grupet përkatëse nga koordinatorët rezulton se pjesa dërrmuese është për bojkot, qoftë dhe duke ndenjur në shtëpi. Thirrja është që edhe këta të fundit t'u bashkohen protestuesve në fakultete. "Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka rreth 7600 studentë. Nga këta, vetëm 55 janë për mësim. Nëse kjo quhet vullnet i shumicës...", shprehet Dorjan Beqiri. Edhe pse nuk është në listën e tetë kërkesave, anulimi i ligjit të arsimit të lartë është artikuluar së fundmi nga këta të fundit, si zgjidhja për plotësimin e të gjitha pikave.

Studentët, pas derës së kyçur të Ekonomikut

Përplasje mes studentëve dhe rojeve private

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.