Historia e rrobaqepëses austriake, si i shpëtoi përndjekjes nga komunistët

Historia e njërës prej austriakeve që u martuan në Shqipëri

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

HHistoritë e grave që lanë vendet e tyre, me dëshirë ose jo, në Shqipëri janë të shumta. Rrallëherë kanë shpëtuar pa u prekur nga regjimi komunist, por historia e Maria rrobaqepëses, është më e "qetë" se ajo e grave të huaja, që kryesisht dashuria i solli në Shqipëri. Veçse, Maria vërtet jetoi deri diku e paprekur, sado që përherë nën vëzhgim, ama nuk pati fatin të jetonte me dashurinë për të cilën erdhi. Bashkëshorti i saj i parë u nda nga jeta vetëm pak vite pas ardhjes së tyre në Shkodër. Kështu, në rrethana të detyruara, Maria u martua me rastin që i doli… Pa të afërm, pa shtëpi, nuk kishte mundësinë e nazeve… Mundet që lidhja të ketë qenë edhe me dëshirën e saj, por një fotografi nga dita e saj e dasmës, me gjithë zymtësinë e përgjithshme në portretet e fotografive të kohës, nuk e tregon aspak të tillë. Gati e vrenjtur, me një grup njerëzish gati të panjohur për të, me një shqipe të çalë, Maria austriakja, siç e njeh ende e gjithë Shkodra, u martua dhe pati tre fëmijë. Historinë e saj e kanë treguar për Fatos Baxhakun pikërisht dy fëmijët e saj. Njëri nga dy djemtë dhe e bija, Terezina.

Kur kishte qenë e re, as që i kishte shkuar mendja se do ta kalonte pjesën më të madhe të jetës në një qytet që quhej Shkodër, mes disa shtëpive me mure të larta, ku agimi dhe perëndimi vinin dhe iknin shumë shpejt të fshehur pas pemëve të shumta ndër bahçe.

Maria Schabernick kishte lindur në Judenburg, në periferi të Vjenës, në mars të 1904- s. Ishte motra e vetme e katër vëllezërve. Kriza që përfshiu Austrinë pas Luftës së Parë Botërore e bëri të kërkonte punë gjithnjë e më në Jug. Ajo vetë kishte mbaruar në vendlindje një shkollë të mesme për ekonomi shtëpiake dhe ishte specializuar si rrobaqepëse. Rasti e solli që në Sarajevë të njihej me një "terzi", rrobaqepës të ri shkodran. Të dashuruarit u martuan shumë shpejt dhe u vendosën në Podgoricë. U kishin thënë se në Mal të Zi punët shkonin diçka më mirë se në Sarajevë. Por edhe këtu nuk iu nda tersi çiftit të rrobaqepësve. Brenda një kohe të shkurtër u detyruan t'i mbyllnin për fare qepenat e drunjta të dyqanit të tyre të vogël. U vendosën në Shkodër, te njerëzit e të shoqit. Këtu, të paktën, kishin miq e familjarë të burrit. Familja Kovaçi ishte ajo që i mirëpriti e para. Ishte fillimi i viteve ' 30.

Dimri shkodran ishte i egër. I egër e i akullt, aq sa mund të të marrë jetën. Pikërisht në një ditë të tillë të acartë, terziu fatkeq rrëshqiti mbi akull e dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore. Për tre vjet me radhë Maria nga Judenburgu qëndroi mbi kryet e të shoqit të paralizuar. Pas vdekjes së tij vazhdoi të qëndronte në familjen Kovaçi. Në atdhe nuk mund të kthehej, vëllezërit kishin mjaft hallet e tyre.

Burrat shkodranë e kishin zakon që mbrëmjeve të mblidheshin ndër shtëpitë e tyre të vjetra. Netëve të gjata të dimrit shkëmbenin ndonjë muhabet dhe luanin me letra. Në një natë të tillë mes shkodranëve ishte edhe një murator nga Hoti, Pjetër Cama. Kishte do kohë që i kishte kaluar të tridhjetat. Asokohe, të ishe beqar në atë moshë nuk ishte një gjë e zakontë. E ndërsa luanin me letra, ustait të Pjetrit, që njihej si Kusha i Angjelores, i paska shkuar mendja të pyesë: "O Pjetër , përse nuk martohesh me Marien?" Pjetri e mori seriozisht këtë punë dhe i kërkoi leje të ëmës, malësore tipike. Thonë se reagimi i parë i malësores ka qenë: "Prite Zot rrezikun! Ti me u martue me nji t'huj?!" Por duket se dëshira e Pjetrit dhe ndikimi i Kushës kanë dalë më të fortë se kundërshtitë e plakës së rreptë. Nuk dihet se si e priti vetë Maria këtë martesë, me një njeri thuajse të panjohur.

Në foton e dasmës së saj ajo duket krejt e vetmuar mes ngazëllimit dhe haresë së dasmorëve me qeleshe.

Në Shkodër, diku afër "Dugajeve të Reja" nuk është aspak e vështirë të gjesh shtëpinë e saj. "Oh, po ju kërkoni shtëpinë e Maries, rrobaqepëses! Po atë e ka njoft tanë Shkodra mër burrë!" Dhe kështu mbërrijmë shpejt në shtëpinë ku na presin Marku dhe Paulini, dy djemtë e saj. Na duket sikur takojmë dy austriakë të vërtetë, me portrete tipike veriore, me sytë blu dhe me flokët bionde. Nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht.

"Në shtëpi nuk kemi folur gjermanisht,nis të tregojë Prela, që ka lindur më 1936,- babës i dukej sikur po të flisnim gjuhën e nënës do të iknim kush e di se ku. Kështu që nuk e mësuam kurrë. Vetë nëna fliste me mundim shqip. Ne na dukej si fëmijë i vogël kur belbëzonte. Për të, tani që kujtohem, duhet të ketë qenë një jetë e vështirë. E ardhur e re, në një vend të varfër e të vështirë, sikurse ishte Shqipëria, me një familje plot mundime, me zakone të tjera, mentalitet tjetër, e megjithatë ajo pas lindjes sonë iu kushtua vetëm familjes. Meqë ishte një rrobaqepëse fort e mirë, ajo hapi disa kurse për të mësuar vajzat e reja, pastaj e kanë punësuar si eksperte në ndërmarrjet shtetërore të asaj kohe. Në qytet e quanin Maria austriakja, ose Maria rrobaqepësja, sepse ishte një artiste e vërtetë në profesion. E bënte punën me dashuri të madhe, sikur po vizatonte dhe jo sikur po qepte një fustan të thjeshtë. Nuk është se origjina jonë ka qenë shkak për ndonjë persekutim të fortë, por hijen e kemi pasur nga

pas ama.

Që më 1944- n, nënës i morën një makinë qepëse Singer, që për atë kohë ishte një gjë e madhe. Pastaj, që në vitet e para pas 1944- s e thirrën në Sigurim. Për fat, atje ka qëlluar një Mul Delia. Ky dikur kishte marrë pjesë në prerjen e linjave telefonike dhe ishte arrestuar nga Gestapoja. Nëna, kishte ndërhyrë, duke i shpëtuar jetën. Kështu që ky Muli, doli garant se ajo kishte qenë kundër pushtimit. Pas kësaj e kanë lënë të qetë, porse ajo hija e "Maria austriakes" e ndiqte nga pas. Vëllanë e madh e internuan për do kohë në Hot, gjoja sepse paska pasur nevojë për të një hallë e jona që jetonte atje". Në një cep të odës së vjetër, Greta, mbesa e re e Maries, dëgjon me vëmendje. Pastaj vë buzën në gaz dhe merr pjesë në bisedë.

"Unë di vetëm tekstin e një kënge në gjermanisht,- thotë.- Ishte një këngë mbi Greta Garbon, që ma ka mësuar gjyshja. E pëlqente shumë atë artiste, mbase prandaj mua ma kanë vënë emrin Greta. Mbaj mend gjithashtu se gjyshja çdo të shtunë shkonte te Maria, që ishte një jugosllave e martuar në Shkodër dhe dëgjonte këngë në gjermanisht në radio. Atëherë përlotej".

Vetëm pak më larg, në katin e parë të një pallati tipik të kohës së socializmit, jeton bashkë me familjen e djalit Umberto, Terezina Pali, vajza e Maries. Terezina ka mësuar të qepë e të qëndisë që në moshën 7- vjeçare, profesion me të cilin është marrë më pas për të gjithë jetën. Duket qartë se mjeshtrja, tashmë e moshuar, ka trashëguar nga e ëma shijen e hollë për të zbukuruar jetën, gjërat, njerëzit. I biri, Umberto, është një nga piktorët e suksesshëm shkodranë.

"Ndonëse jetoi gjatë këtu në Shkodër,rrëfen Terezina,- ndonëse na kishte ne, ndonëse shumë e respektonin, unë besoj se iku me një peng të madh. Atë që nuk i pa më kurrë vendin dhe njerëzit e saj. E kam dëgjuar vetë sa e sa herë duke pëshpëritur: ' Ah, nuk do më tresë ky dhe!' E vetmja lidhje që kishin, ishin disa letra të Gerhardit, djalit të dajës. Ata na i lejonin, porse pakot e dërguara kurrë nuk i morëm. Nënës i kishte mbetur peng i madh. Të katër vëllezërit e saj kanë luftuar në Stalingrad, të mobilizuar nga gjermanët. Njëri prej tyre, i vetmi i mbijetuar, paska kthyer edhe në Shkodër, porse nuk ka mundur ta takojë të motrën".

Maria jetoi gjatë, e rrethuar në shtëpinë me mure të larta nga kujtimet e Judenburgut, letrat që i vinin herë pas here nga larg, dashuria e familjes dhe një mall, i cili nuk iu nda kurrë. Ka lënë pas 27 stërnipa e stërmbesa.

Familja Schabernick në Judenburg, fillim i shekullit XX, në qendër ( në këmbë) Maria e re

Familja Schabernick në Judenburg, vitet e Luftës I Botërore. Maria adoleshente, e dyta nga e djathta

Dasma e Maries dhe Pjetrit, Shkodër, 1930

Familja Camaj në vitet ‘ 80, Maria, Pjetri, djemtë Marku, Prela, Paulini, vajza Terezina dhe Greta e vogël

Pjetër Camaj, bashkëshorti i Maria Schabernick, Shkodër, vitet ‘ 50

Terezina Pali

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.