Bushati “ngrin” vizitat zyrtare jashtë vendit, socialistët vendosin sot për ministrat e rinj

Në mesjavë, ministri në detyrë takime me homologun italian e holandez në Tiranë

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Shqipëria ka mbetur e papërfaqësuar në sferën ndërkombëtare për aq kohë sa në zyrën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, qëndrojnë ende të pafirmosura dekretet për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe emërimin në këtë detyrë të Gent Cakajt.

Sinjalin e parë për këtë ngërç institucional të krijuar mes Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama e dha anulimi i një vizite tepër të rëndësishme, që kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati kishte parashikuar të zhvillonte këtë të martë në Gjermani. Burime të "Panorama" në Ministrinë e Jashtme konfirmojnë se përmes një shkrese zyrtare, Bushati ka informuar homologun e tij gjerman Heiko Maas për anulimin e vizitës që ishte parashikuar të mbahej ditën e nesërme, më 15 janar. Një vendimmarrje e tillë nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, duket se është marrë për shkak të përplasjes publike që ekziston mes kreut të shtetit Meta dhe kreut të qeverisë Rama, sa i takon emërimit të kreut të ri të diplomacisë shqiptare. Duke vlerësuar se një vizitë e tillë do të interpretohej si një sfidë ndaj vendimit të kreut të qeverisë, Bushati ka preferuar anulimin e vizitës zyrtare. Por vendimi për të anuluar vizitën e tij zyrtare në Gjermani nuk ka qenë i pari për Ditmir Bushatin. Që nga dita kur Rama firmosi shkarkimin e tij nga detyra dhe propozimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Bushati ka anuluar edhe takime të tjera që ishin parashikuar të mbahen në Bruksel. Në javën që lamë pas, Bushati kishte parashikuar takime me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn dhe shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Edhe këto dy takime Bushati ka vendosur t'i anulojë duke iu kërkuar ndjesë zyrtarisht zyrtarëve europianë.

TAKIMET

Pavarësisht nëse Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të shprehet apo jo me dekret për shkarkimin e tij nga detyra, Ditmir Bushati do të zhvillojë dy takime zyrtare në mesin e kësaj jave. Burimet konfirmuan për "Panorama" se Bushati ka kon- firmuar takime me zyrtare me homologët e tij italianë dhe holandezë. Ministri i Jashtëm italian, Enzo Moavero Milanesi, do të jetë të mërkurën në Tiranë për t'u takuar me Bushatin, ndërkohë që një ditë më vonë në Ministrinë e Jashtme në Tiranë do të mbërrijë kryediplomati holandez, Stef Blok. Sipas burimeve, takimet e Bushatit me dy diplomatët e huaj do të mbahen në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, pavarësisht vendim- marrjes së Presidentit. Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka që nga data 4 janar në zyrën e tij dekretin për shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin në detyrën të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili aktualisht mban detyrë e zv. ministrit të Jashtëm. Presidenti pak ditë më parë refuzoi kandidaturën e Cakajt për detyrën e ministrit, duke i kërkuar Ramës të paraqesë kandidaturë më me eksperiencë dhe të mos e bëjë Ministrinë e Jashtme një autoshkollë.

"Një vendimmarrje e tillë nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, duket se është marrë për shkak të përplasjes publike që ekziston mes kreut të shtetit Meta dhe kreut të qeverisë Rama, sa i takon emërimit të kreut të ri të diplomacisë shqiptare. Duke vlerësuar se një vizitë e tillë do të interpretohej si një sfidë ndaj vendimit të kreut të qeverisë, Bushati ka preferuar anulimin e vizitës zyrtare"

Bushati dhe ministri i Jashtëm gjerman, Maas

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.