Panorama (Albania)

Pendesë për vrasjen e Dom Shtjefën Kurtit, zbulohet letra e prokurorit

Prifti katolik u dënua me pushkatim në vitin 1971 për sabotim, agjitacion e propagandë pasi kishte bërë 17 vjet burg

-

Prokurori dhe gjykatësi që çuan drejt pushkatimi­t Dom Shtjefën Kurtin, i akuzuar për "sabotim dhe agjitacion e propagandë", u kanë kërkuar falje të afërmve të martirit, por edhe të gjithë shqiptarëv­e që kaluan përmes këtij kalvari. Me kërkesë të nipit të Dom Shtjefën Kurtit, Nikolin Kurti, ish- prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikohen pas vdekjes së tyre. "Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ' Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë'. I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë", rrëfen Kurti. Tanimë, pas vdekjes së tyre, Kurti boton të dyja letrat e plota. Ndër të tjera, Hajredin Fuga, shprehet: "Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshë­m që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur". Ndërsa ish- gjykatësi i çështjes, Jani Vasili, shkruan: "I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes, për këtë rëndesë të madhe shpirtëror­e, edhe për pamundësin­ë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim".

KËRKESA PËR TAKIM

Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për Hajredin Fugën mëngjesi i datës 2 qershor 2011, kur një person me emrin Nikolin Kurti i kërkonte një takim dhe arsyen përse e kërkonte këtë takim. Kishte të bënte me një ngjarje shumë të rëndë, që lidhej me të shkuarën e Hajredin Fugës, prokuror në kohën e diktaturës komuniste. Të njëjtin takim, Nikolini i kërkoi dhe gjyqtarit Jani Vasili. Nikolin Kurti kishte 20 vjet që kërkonte eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971. Gjurmët e kërkimit e kishin çuar prej kohësh te procesi i gjyqit ndaj Dom Shtjefën Kurtit, në të cilin kishte qenë prokuror Hajredin Fuga e gjykatësit Jani Vasili. Nikolini kishte vendosur t'i takonte për të mësuar detaje të gjyqit ku u dënua me pushkatim padrejtësi­sht, xhaxhai i tij, Dom Shtjefën Kurti.

TAKIMI ME PROKURORIN

"E mora në telefon dhe iu prezantova. I thashë dua të të takoj për çështjen e pushkatimi­t të Dom Shtjefën Kurtit. Jam nipi i tij. M'u përgjigj menjëherë pozitivish­t. Më tha po, mund të takohemi dhe lamë një vend takimi. Ishte data 2 qershor. Shkova në vendin ku e kishim lënë të takoheshim dhe po e prisja. Erdhi 10 minuta pasi kisha mbërritur unë. U ngrita në këmbë. I thashë uluni... ai më tha: "Para se të ulem, dua të kërkoj të falur për Dom Shtjefnin. Dua të kërkoj një ndjesë, që nuk munda ta bëj ndaj Dom Shtjefnit, prindërve të tij dhe gjithë ju familjarëv­e!".

I thashë se e pranoj ndjesën. Pastaj u ul. Kisha marrë me vete dokumentin ku paraqitej kërkesa e tij si prokuror i çështjes, drejtuar gjykatës për pushkatimi­n e Dom Shtjefën Kurtit. E pa dhe më tha menjëherë: "Është e vërtetë, është shkresa që unë kam shkruar... Por ashtu ishin kohët... etj".

Pastaj nisi të më flasë për detaje të gjyqit, falsifikim­in e të gjitha akuzave, përmes të cilave u dënua me pushkatim xhaxhai im Dom Shtjefën Kurti. I kërkova të më bënte një nder: të gjitha çfarë po më thoshte, t'i shkruante në një letër me shkrim dore, jo me kompjuter. Më tha menjëherë "Po! Por duhet të më japësh pak ditë kohë dhe unë do ta shkruaj dhe do e sjell".

Pas pesë a gjashtë ditësh më mori në telefon dhe më tha: "E kam gati". U takuam sërish.

E pashë që e kishte shkruar me detaje. Më kërkoi që të mos e bëja publike për sa kohë të ishte gjallë. "Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë". I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë. Unë e mbajta fjalën dhe nuk e botova. Tani kam vendosur të publikoj letrën e tij dhe atë të Jani Vasilit, në një libër për jetën e xhaxhait tim, Dom Shtjefën Kurtit.

LETRA

"Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëv­e, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutua­n dhe u martirizua­n vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë.

Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshë­m që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalit­et dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdëruesh­me që keni bërë për njohjen dhe përjetësim­in e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzetë vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time....", është ky fillimi i një letre të gjatë të Hajredin Fugës për nipin e Dom Shtjefën Kurtit, për të cilin dikur, kishte kërkuar dënimin me pushkatim.

Në letër, ai sqaron detaje të rëndësishm­e, ku vërtetohet falsiteti me të cilin diktatura vriste njerëz të pafajshëm. Në fund të letrës, ish- prokurori i çështjes së Dom Shtjefën Kurtit, i kërkon nipit të viktimës së tij të mbeten miq përjetë. Në atë kohë, Hajredin Fuga po mbyllte një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë në Shqipërinë postkomuni­ste. Kishte qenë anëtar i Gjykatës Kushtetues­e. Takimi me gjykatësin Jani Vasili ishte caktuar nga regjimi për të drejtuar seancën gjyqësorë për Dom Shtjefën Kurtin, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënim me pushkatim. Gjyqi zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godina e kthyer në vatër kulture pas prishjes vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. Jani Vasili dhe trupa gjykuese dha vendimin për pushkatimi­n e priftit Dom Shtjefën Kurti, i cili në fakt nuk kishte kryer asnjë krim, përveçse kishte guxuar të pagëzonte ilegalisht një fëmijë.

Takimi i Nikolin Kurtit me Jani Vasilin është i ngjashëm me takimin e tij me prokurorin, Hajredin Fuga.

"Jani Vasili kishte dijeni me sa duket nga Hajredini se unë do ta kërkoja dhe sapo e kontaktova, me tha menjëherë ' po' për takimin. Ishte pak javë pasi kisha takuar Hajredinin. U ulem në kafe. I tregova vendimin e tij për pushkatimi­n e Dom Shtjefën Kurtit, ku kishte qenë relator.

"Po, më tha, është e vërtetë". I kërkova detaje se si ishte e vërteta e atij gjyqi. I kërkova që ta shkruante me dorë dhe ma solli. Më kërkoi gjithashtu të mos e botoj për sa kohë të ishte gjallë".

Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke kapur majat deri në Gjykatën Kushtetues­e. Për të respektuar marrëveshj­en me ta, Nikolin Kurti nuk i botoi dy letrat e tyre për sa kohë ata ishin gjallë. Letra e Hajredin Fugës dhe Jani Vasilit, me ndjesën që i kërkojnë nipit të viktimës së tyre, botohet për herë të parë në Kujto. al, me lejen e Nikolin Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit.

FATI I DOM SHTJEFNIT

Dom Shtjefën Kurti ishte një prift katolik, lindur në Ferizaj të Kosovës, më 24.12.1898. Studioi në Seminarin e Shkodrës, më pas në Insbruk të Austrisë, në Kolegjin Canisianum dhe, në fund, në vitin 1919, në Romë pranë Kolegjit të Kongregatë­s Propaganda Fide. U shugurua meshtar në Romë më 13.05.1921. Në vitin 1930 u kthye në Shqipëri për Dioqezën e Durrësit. Në

Kosovë kishte qenë famullitar në Ferizaj e Novoselë. Në Shqipëri qe famullitar i Zhejës, Gurrëzit e Tiranës. U arrestua dy herë: herën e parë në Tiranë më 27.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, në burgun e tmerrshëm të Burrelit; herën e dytë u arrestua në Gurrëz, më 11.06.1970. U dënua me vdekje. Ky vendim u shqyrtua nga një trupë gjyqësore e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku bënin pjesë: Llazi Stratobërd­ha, zëvendëskr­yetar i Gjykatës së Lartë, Ali Zenko anëtar dhe Jani Vasili anëtar, të cilët me datë 8.9.1971, morën në shqyrtim çështjen Nr. 806, që i përket të gjykuarit Shtjefën Kurti: "Për krimin e sabotimit dhe të agjitacion­it e propagandë­s kundër pushtetit popullor", d. m. th. për krime të parashikua­ra nga neni 72 dhe paragrafi i parë i nenit 73, në bazë të cilave Gjykata e Krujës e ka dënuar me vdekje, me pushkatim dhe e konsideroi atë vendim të mbështetur në ligj. Në vendimin e Gjykatës së Lartë theksohet se "Për të gjykuarin Shtjefën Kurti vendimi nuk mund të ekzekutohe­t, pa pritur përgjigjen e lutjes që ai, sipas nenit 349 të Kodit të Procedurës Penale, ka të drejtë t'i drejtojë Presidiumi­t të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. I akuzuari Kurti nuk i kishte bërë kërkesë faljeje Presidiumi­t të Kuvendit Popullor, megjithatë ai organ ishte njoftuar me vendimin përmes Gjykatës së Lartë.

Një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1972, Dom Shtjefën Kurti merret dhunshëm nga qelitë e burgut për t'u vënë para togës së pushkatimi­t. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, ai i qetë përgjigjet: "Nuk më vjen keq se po vdes, po më vjen keq se jetën po ma merrni ju".

U pushkatua në Gurrëz më 20.10.1971.

Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshë­m që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar

 ??  ?? Dom Shtjefën Kurti
Dom Shtjefën Kurti
 ??  ?? DOM SHTJEFËN KURTI
DOM SHTJEFËN KURTI
 ??  ?? Faksimile e letrës së gjykatësit Jani Vasili
Faksimile e letrës së gjykatësit Jani Vasili
 ??  ?? Nikolin Kurti, nipi i Dom Shtjefën Kurtit
Nikolin Kurti, nipi i Dom Shtjefën Kurtit
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania