Nishani: Rama qesharak, propozon ministër një të ri pa formim diplomatik

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Ish- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka cilësuar qesharake sjelljen e Kryeministrit Edi Rama në takimin që mbajti pak ditë më parë me Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë. Në një reagim të gjatë lidhur me këtë çështje, Nishani kujton se takime të tilla mbahen që kryetarët e qeverive të bëjnë një pasqyrim të dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të afishimit të objektivave vjetore të qeverisë dhe vendit në bashkëpunimin ndërkombëtar. "Takimi vjetor i Presidentit të Republikës dhe ai i Kryeministrit me Trupin Diplomatik nuk është thjesht e vetëm një traditë ndërkombëtare apo event protokollar në marrëdhëniet diplomatike, por në rastin e kryetarit të qeverisë, një paraqitje për ridimensionimin dhe deklarimin e dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të afishimit të objektivave vjetore të qeverisë dhe vendit në bashkëpunimin ndërkombëtar. Asgjë nga këto nuk dëgjuan nga Kryeministri shqiptar, ambasadorët e huaj. Ata kanë mbetur të pataksur e të shokuar, besoj unë, nga fjalori dhe tollovia e retorikës pa lidhje, pa logjikë politike e pa asnjë kod diplomatik të këtij Kryeministri. Asnjë arritje të vitit të shkuar nuk pati Kryeministri që t'u paraqiste përfaqësuesve të vendeve partnere. Asgjë për procesin e Integrimit Europian e veçanërisht se si do të vijonte angazhimi dhe rrugëtimi në lidhje me përmbushjen e prioriteteve kyçe të vendosura nga Këshilli Europian për qeverinë e tij deri qershorin e ardhshëm. Asgjë për bashkëpunimin tregtar midis Shqipërisë dhe vendeve që përfaqësonin diplomatët e huaj në atë sallë. I vetmi artikulim i Kryeministrit shqiptar për situatën dhe kontributin rajonal ishte adresimi për tarifat e vendosura nga Kosova ndaj Serbisë! Qesharake pa fund", deklaron Nishani. Ish- Presidenti akuzon Kryeministrin si të paaftë dhe papërgjegjshëm në lidhje me politikën e jashtme, kur sjell në vëmendje edhe propozimin e Gent Cakajt në postim e ministrit të Jashtëm. "Paaftësia dhe papërgjegjshmëria në lidhje me politikën e jashtme të Kryeministrit të Shqipërisë nuk është as ndonjë sekret e as ndonjë surprizë. Ajo u demonstrua edhe njëherë me tërë dimensionin real të saj në rastin e caktimit të ministrit të ri të Punëve të Jashtme. Të caktosh në këtë post shumë të rëndësishëm, por ca më shumë delikat, një djalosh pa asnjë formim diplomatik, pa asnjë eksperiencë drejtuese dhe negociuese, me paraqitje konfuze dhe problematike për çështje kardinale ndërkombëtare, ku është i fokusuar kryesisht interesi shqiptar, tregon plotësisht këtë paaftësi, papërgjegjshmëri e ndoshta ca më shumë se to, të Kryeministrit të Shqipërisë. Sot është evidente se pothuajse 80% e opinionit publik mbështet qëndrimin e Presidentit të Republikës për mosdekretimin e ministrit të ri të Jashtëm", sqaron Nishani.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.