Panorama (Albania)

Qëndruan 5 ditë të izoluar, Ushtria shpëton mësuesit

Mësuesja: Kam kaluar ditët më të vështira të jetës sime

- SHKODER/

Qëndruan të izoluar për 5 ditë nga dëbora, Forcat e Armatosura ndërhyjnë me helikopter.

Ata prej ditësh kishin bërë thirrje për ndihmë, por strukturat shtetërore kanë hezituar që t’i ndihmojnë. Mësuesit shfrytëzua­n mediat dhe rrjetet sociale për të treguar vështirësi­të ku ndodheshin dhe pas pesë ditëve, Ministria e Mbrojtjes mundësoi një helikopter në Dukagjin. Bllokimi i të dy anëve të rrugës nga bora bëri që mësuesit ashtu si banorët e zonës të izolohen. Për pesë ditë, mësuesit qëndruan në një ndërtesë që rrezikonte të shembej nga dëbora, pa ngrohje dhe pa furnizimin me ushqime. Për disa ditë me radhë qëndruan në këto kushte të mbijetesës ndërsa të vetmit që i kanë ndihmuar janë banorët e zonës. Edhe pse shkollat e Dukagjinit janë mbyllur si shkak i bllokimit të fshatrave të ndryshëm nga bora, mësuesit u detyruan të qëndrojnë atje për 5 ditë me radhë në kushte shumë të vështira derisa u ndërhy përmes ajrit me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i sjellë drejt Shkodrës. Menjëherë pas mbërritjes te Reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shkodrës, mësuesit rrëfyen peripecitë që kaluan gjatë izolimit. “Për mua ishte e tmerrshme çfarë përjetova”, thotë Aida Kullmaku, mësuesja e cila për herë të parë ka qenë në Dukagjin pas emërimit. Ajo rrëfen se ato ditë për të janë ndër më të vështirat të jetës së saj. “Janë ndër ditët e mia më të sikletshme, më të vështira. Në mes të borës pa asnjë lloj ndihme përveç banorëve ishte e paimagjinu­eshme për mua. Kishim shumë vështirësi. Nuk arrij ta kuptoj se si banorët e Dukagjinit ia dalin të jetojnë në ato kushte dhe të bëjnë çdo ditë gjatë dimrit atë lloj jete, aq më tepër që është një histori e përhershme”, thotë Kullmaku. Kolë Vladaj tregon se për 5 ditë kanë qëndruar në një ndërtesë që rrezikonte të shembej. “Ne e kemi kërkuar që në ditën e parë që të na transporto­jnë me helikopter. Ndërtesa atje ku ishim ne, ka rrezik të shembet, ngrohje jo, ushqime jo, pra në kushte shumë të vështira. Kemi kërkuar helikopter­in sepse s’kishim mundësi tjetër. Thuajse të gjithë mësuesit kanë shtëpitë në Shkodër dhe përderisa në shkollat e Dukagjinit nuk bëhet mësim, ishte e panevojshm­e të qëndronim në ato kushte aq të vështira. Jemi shumë të lumtur që arritëm shëndosh deri në Shkodër sepse edhe familjet tona kanë qenë shumë të shqetësuar­a”, tha ai.

 ??  ?? Ndërtesa ku ishin izoluar 8 mësuesit në Dukagjin
Ndërtesa ku ishin izoluar 8 mësuesit në Dukagjin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania