Panorama (Albania)

Djali vrau nusen, prindërit: Duam kujdestari­në e fëmijëve

“Duam që ta mbajmë familjen e djalit të bashkuar e të gjallë”

- FIER/

Djali vrau nënën dhe tezen, prindërit e Gazmend Mustës kërkojnë kujdestari­në e dy fëmijëve të mitur.

Pas vrasjes dhe mërisë mes dy krushqive, do të lindë një konflikt i ri. Bëhet fjalë për fëmijët e çiftit Gazmend Musta – Gentjana Çaushaj nga Ballshi. Pasi Gazmendi ekzekutoi të shoqen dhe motrën e saj Merisa Çaushaj, në udhëkryq mbeten dy të miturit, të cilët, veç të tjerash, u përballën me skenën makabre të vrasjes së nënës dhe tezes së tyre. Disa ditë pas ngjarjes së rëndë, vëllai i viktimave kërkoi kujdestari­në e vogëlushev­e, por fill një javë më pas, prindërit e vrasësit kanë drejtuar të njëjtën kërkesë në Gjykatë. Kjo duket se është një tjetër mollë sherri mes dy familjeve që rrezikon të mos mbyllet lehtë. Ndryshe nga ngjarjet e tjera, kur në të shumtën e rasteve, fëmijët i ka mbajtur familja e viktimës, këtë herë organi gjyqësor do të ketë vendimmarr­je të vështirë. Në dyert e Gjykatës së Fierit ka mbërritur dje babai dhe nëna e autorit të ngjarjes, Bedri e Lumturi Musta. Këta të fundit i kanë dorëzuar një kërkesë Gjykatës, duke i kërkuar kujdestari­në e fëmijëve të djalit, sepse, sipas Bedriut, kjo familje i ka të gjitha mundësitë që t’i rrisë e t’i edukojë siç duhet fëmijët e djalit. Po ashtu, në deklaratën e tij për mediat, Bedriu ka thënë se në këtë mënyrë ai do të mbajë gjallë e të bashkuar familjen e të birit. “Dal për herë të parë të flas për mediat sepse sapo kam dorëzuar kërkesën time për të përfituar kujdestari­në e dy fëmijëve të mitur të djalit tim. Si prind dhe si gjyshi i dy fëmijëve, me bindje e kërkoj kujdestari­në e fëmijëve të djalit tim. Prandaj edhe iu drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier që të marr kujdestari­në e fëmijëve. Dua që ta mbaj familjen e djalit të bashkuar e të gjallë”, ka thënë ai. Prindërit e Gazmend Mustës duket se po kërkojnë të shfrytëzoj­në gjendjen më të mirë ekonomike se sa familja e dy viktimave për të fituar në Gjykatë. “Kriteret për të mbajtur fëmijët i plotësojmë, që t’i mbajmë të lumtur të shëndetshë­m dhe të shkolluar. Unë kam besim të plotë te Gjykata, e cila do të vendosë se kush i plotëson kushtet e fëmijëve për t’i marrë”, është shprehur më tej ai. Por më herët, Gjyshmir Çaushaj, vëllai i Gentjanës dhe daja i fëmijëve ka depozituar një kërkesë në Gjykatë me po të njëjtin pretendim. Ai i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, kujdestari­në e dy fëmijëve të mitur të motrës së tij. Sipas vëllait të viktimave, Gazmend Musta nuk mund të ushtrojë kujdestari­në e dy fëmijëve. “Gazmend Musta nuk mund të ushtrojë kujdestari­në e dy fëmijë”, u shpreh ai. Prej disa kohësh, çifti jetonte në një banesë me qira në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh. 34- vjeçari Gazmend Musta për disa vite ka qenë emigrant në Greqi. Ngjarja e datës 2 janar dyshohet se kishte si shkak debatet e vazhdueshm­e në çift. Besohet se kërkesa e Gentjanës për të vizituar prindërit ka nxitur një sherr që më pas përfundoi me vrasjen e saj dhe të motrës. Gazmend Musta para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë pranoi krimin e rëndë, duke thënë se kishte humbur kontrollin, pasi e shoqja e kishte fyer disa herë pas refuzimit të tij për ta lënë që të shkonte për vizitë te prindërit në Mallakastë­r. “Gruaja nisi të më ofendonte. Nuk i durova dot më dhe pas kësaj nuk di çfarë kam bërë”, ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje. Sipas Prokuroris­ë, sherri mes çiftit ka ndodhur vetëm pak minuta pasi nga shtëpia e tyre është larguar motra e Gazmendit me bashkëshor­tin e saj.

 ??  ?? Autori i vrasjes së dyfishtë, Gazmend Musta, me bashkëshor­ten e vrarë, Gentjana Çaushaj
Autori i vrasjes së dyfishtë, Gazmend Musta, me bashkëshor­ten e vrarë, Gentjana Çaushaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania