Investim në dy konvikte, Veliaj: Protesta mbaroi, ne mbajmë premtimin
Dy godina të tjera, konkretisht ajo 9 dhe 10 në Qytetin Studenti, po rikonstruktohen nga Bashkia e Tiranës, në përmbushje të angazhimit të saj në Paktin e qeverisë për Universitetin. Gjatë inspektimit të punimeve në godinat ku po investohet, kryebashkiaku Erion Veliaj vuri në dukje se edhe pse ka përfunduar protesta e bojkoti, ambicia e bashkisë për të çuar deri në fund premtimin e dhënë është maksimale. "Për sa kohë që Kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria, autoritetet vendore, morën përsipër dhe dhanë fjalën, edhe zelli i punimeve është vërtetimi i faktit që vazhdon përtej lajmit të ditës. Kështu që do të jemi këtu edhe kur ndoshta të harrohet i gjithë ky debat dhe gjithë ky diskutim. Sepse fjala e dhënë duhet mbajtur. Ashtu siç kemi pasur zakon edhe në qeveri, edhe në bashki, për sa kohë që kemi marrë një angazhim, është apo s'është lajm dite, ka apo s'ka sherr, ka apo s'ka protestë, ne do ta çojmë fjalën deri në fund". Veliaj përshëndeti vendimin e marrë nga fakultetet për rinisjen e mësimit, çka i hap rrugë administratës së tij për vijuar punën për ndërhyrjen në rikonstruksionin e ambienteve të brendshme në periudhën e duhur. "Jam shumë entuziast sot që studentët do të largohen për pushimet e verës, me të gjithat konviktet e riparuara në pjesët publike, nyjet higjieno- sanitare, dushet, ambientet e përbashkëta, termoizolimin, suvatë dhe lyerjen nga jashtë. Besoj se është një moment historik kthese për të ngritur një standard të ri të komunikimit me studentët, duke i parë jo si e ardhmja, por si e tashmja. Në fund të verës, një e treta e studentëve do të bëhen rezidentë të Tiranës, duke qenë se mbarojmë vitin akademik dhe do të jetë kontribuues, edhe me taksa, edhe me talent, edhe me pasion dhe energji të mirë, për qytetin tonë", nënvizoi kryetari, teksa nuk La pa vlerësuar faktin që investimi aktualisht po kryhet në kushte të vështira për shkak se godinat janë ende të populluara. Deri më tani, me kontributin edhe të donatorëve të ndryshëm, ka nisur puna për rikonstruksionin e tetë konvikteve në "Qytetin Studenti".