Gashi u arrestua në tetor 2018, u zbulua nga gjurmët e gishtave
Shtetasi kosovar nga Mitrovica, Naser Gashi, prej qershorit 2013 ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se me vendimin nr. 41 të datës 13 qershor 2013 është dënuar me 11 vite burg për akuzën e "Trafikut të lëndëve narkotike" kryer në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gashi ka përfituar ulje dënimi duke u dënuar përfundimisht me 7.4 vite burgim. Ai ka tentuar të marrë pafajësi në Gjykatën e Lartë, por çështja e tij nuk është pranuar të gjykohet, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda. Naser Gashi ka qëndruar në arrati duke u fshehur nën identitetin e shtetasit kosovar Samir Buli, ku me këtë emër ka hyrë disa herë në Shqipëri. Në mbrëmjen e datës 17 tetor 2018, Gashi së bashku me shokun e tij kanë tentuar të dalin nga Shqipëria në Kosovë, me një makinë Audi duke përdorur Pikën e Kalimit Kufitar Morinë. Aty u është nënshtruar kontrolleve dhe Gashi ka paraqitur dokumente identifikuese me emrin Samir Bula. Si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi këto dokumente, është vendosur nga Policia Kufitare që kosovari të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë Kukës, ku t'i nënshtrohet identifikimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Për të kryer këtë proces verifikimi është thirrur specialisti i Laboratorit Kriminalistik në Kukës. Nga verifikimi i dorës së djathtë ka rezultuar se në skanerin e gjurmëve daktiloskopike ky person ishte i regjistruar në sistem me gjeneralitetet Naser Adem Gashi, i ditëlindjes 20 nëntor 1960, lindur në Mitrovicë, Kosovë. Gjatë kontrollit të këtij emri në sistemin TIMS është zbuluar se Naser Gashi ishte në kërkim. Nga ana e Policisë Kukës është kryer arrestimi i Naser Gashit, por nuk është vënë në dijeni Prokuroria e Krimeve të Rënda.