Kandidati për në Kushtetuese tri orë në KPK: S’kam përfitime
Mustafaj: Edhe kriteret e tjera janë të pastra si kristali. 23 vite gjyqtar dhe profesor me botime e shkrime, s'kam asnjë përfitim
I shoqëruar nga familjarët dhe me një sërë dokumentesh me vete, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, u përball dje për të dytën herë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që e kishte hetuar atë vetëm në një kriter.
"Dua të ngre para jush pretendimin për një proces të rregull ligjor", tha Mustafaj në nisje të fjalës, duke pretenduar se në procesin ndaj tij ka pasur shkelje procedurale. Drejtuesi i treshes që ka hetuar gjyqtarin, Lulzim Hamitaj, bëri të ditur që në nisje të seancës, se kërkesa e bërë disa javë më parë, për përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine, ishte rrëzuar nga një tjetër trup gjykues dhe hetimi për gjyqtarin është mbyllur në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, në përgjigje të dyshimeve të ngritura për deklarimet për një apartament të gjyqtarit, përfitimit të një shume prej 30 mijë eurosh dhe një makine, Mustafaj tha se pasuria e tij "është një apartament 121 metra katrorë, i marrë me kredi në vitin 2006. Një makinë e blerë për 430 mijë lekë dhe një tokë bujqësore e përfituar me ligjin 70501. E gjithë kjo pasuri vlen 6.4 milionë lekë, duke futur edhe 1.1 milionë lekë mobilim, shkon me vlerën 7.5 mln lekë". Ndërkohë, përpos shpjegimeve dhe provave të dorëzuara më herët pranë KPK- së, gjatë ditës së djeshme, Mustafaj dorëzoi edhe prova të reja gjatë seancës dëgjimore. "Kam edhe disa prova të reja që nuk janë depozituar ende. I kam siguruar gjatë kësaj kohe", tha Mustafaj. Ky i fundit është kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, e ka nisur karrierën si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Që prej vitit 2000, ai ushtron funksionin e gjyqtarit në këtë Gjykatë, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
SHKELJET Ashtu si hetimi në një kriter, edhe vendimi për mospërjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine, nga trupi gjykues u konsideruan në seancën e kësaj të enjteje si cenim të një procesi ligjor nga ana e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj. "Dua të ngre para jush pretendimin në lidhje me një proces të rregullt ligjor. Kërkoj zhvillimin e një procesi, që respekton të drejtat kushtetuese. Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të më bëni të njohur rezultatin e hetimit për të gjitha kriteret e rivlerësimit. Më kanë thirrur në seancë dëgjimore 48 orë pas momentit që kam dorëzuar letrat. Nuk pata kohë që të përgatisja një mbrojtje efektive. Më ka ardhur vendimi për rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e relatores Xhensila Pine. Në këtë vendim thuhej se është marrë mendimi i relatores Pine me telefon. I kam kërkuar Komisionit transkriptimin e kësaj bisede dhe nuk më është vënë në dispozicion ende dhe në këtë moment që jemi duke folur. Marrja e provës me anë të telefonit është një mënyrë ekstraligjore dhe nuk njihet nga Kodi ynë", tha Mustafaj
PROBLEMET Gjatë relacionit u bë e ditur se gjyqtari është ngarkuar me barrën e provës në lidhje me mospërputhje të deklarimeve për apartamentin në Tiranë, për një bilanc negativ për tri vite, për paqartësitë në një kontratë për përfitimin e 30 mijë eurove dhe mospagimin e tatimeve për këtë vlerë. Më tej, KPK tha se dyshime janë ngritur edhe për një pronë në fshat që nuk është deklaruar që në fillim dhe për pasuritë e personave të lidhur. Sa i takon pasaktësive në deklarimet për apartamentin, gjyqtari Mustafaj tha se ai ka deklaruar çdo gjë me pastërti dhe se në një rast e dhëna është deklaruar në një seksion tjetër të deklaratës, por jo se nuk është deklaruar. "Në lidhje me shumën prej 30 mijë eurosh sqaroj se familja ime ka ardhur në vitin 1996 në Tiranë, ka blerë një sipërfaqe toke prej 333 metrash katrorë në Yzberisht. Në këtë tokë është ndërtuar një shtëpi njëkatëshe, ku kam jetuar deri në vitin 2002. Në vitin 2011, si rezultat i planit rregullues të zonës, aty u bënë ndërtime dhe u prishën banesat. Shoqëritë e ndërtimit hynë në marrëveshje me familjarët. Në këtë sipërfaqe toke, nëna ime kishte 1/ 2 e pronësisë dhe për pjesën që më takonte kam marrë vetëm 50 metra. Në kontratën për këtë pronë, thuhet në një aneks që djali do të marrë 30 mijë euro. Çdo gjë është e pastër, si në vitin 2011 kur është marrë kjo shumë, si në deklarimin në veting. Për pagimin e tatimit për këtë shumë, mbaj qëndrimin se nuk ka qenë detyrim imi, por i shoqërisë. Për këtë kam marrë edhe një shkresë të Drejtorisë së Tatimeve, ku thuhet: bazuar në ligj, pagesën e detyrimeve tatimore e mbart investitori dhe jo pronari. Të ardhurat e përfituara nga kontrata e shkëmbimit, nuk përbëjnë të ardhura të tatueshme për pronarët e truallit", tha Mustafaj. .