Lleshaj: Zyra do intensifikojë bashkëpunimin me BE
Për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, hapja e zyrës së Europol në Tiranë është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe pozitive në kronikën e gjatë të hapave të suksesshëm të integrimit europian të Shqipërisë. "Falë bashkëpunimit tonë të forcuar rajonal dhe procesit të integrimit europian, ne po komunikojmë, vizitojmë dhe shkëmbejmë më shumë me njëri- tjetrin", tha Lleshaj. Ndërsa shtoi se vetëm në 10 vitet e fundit, numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur gati 160 %. Dhe kjo tendencë pozitive vazhdon me po të njëjtin ritëm rritjeje. "Mjafton vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është një lajm shumë i mirë dhe pikërisht për këtë, shoqërohet edhe nga një sfidë e madhe, si ta forcojmë nivelin e integrimit pa kompromentuar sigurinë. Në parim, unë besoj se thellimi integrimit nuk e cenon sigurinë. Madje, e forcon atë. Por, me një kusht: thellimi i integrimit duhet të shoqërohet nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit", u shpreh ministri i Brendshëm. Sipas tij, fillimi i operacionit të Frontex në kufijtë e Shqipërisë përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE- së. "Edhe hapja e Zyrës së Europol në Tiranë është e para në rajon dhe siç tha edhe Drejtorja Ekzekutive, e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi de facto. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure", tha Lleshaj.