KQZ: Kur hynë në doganë fletët për Vaun e Dejës, sistemi s’punonte
Fletët e votimit me të cilat qytetarët e Vaut të Dejës zgjodhën kryebashkiakun e ri të tyre në 30 qershor, janë bërë objekt i një përplasjeje në distancë mes Partisë Demokratike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sekretari i Përgjithshëm i PD- së, Gazment Bardhi, ka denoncuar faktin që pas djegies së KZAZ- së në Vaun e Dejës, fletët e reja të votimit kanë hyrë në Shqipëri në orën 07: 58, ndërkohë që votimi ishte hapur në qendra që në orën 07: 00. Demokratët janë të bindur se qytetarët në Vaun e Dejës kanë votuar me fleta të falsifikuara, duke akuzuar drejtpërdrejt për këtë skandal KQZ- në. Përmes një reagimi zyrtar, KQZ- ja hodhi poshtë pretendimin e demokratëve, duke sqaruar se fletët për Bashkinë e Vaut të Dejës kanë hyrë në Shqipëri në datën 29 qershor, por gjatë kohës që automjetet që transportonin materialet kanë hyrë në doganë, sistemi ka qenë jashtë funksioni. "Pas djegies së KZAZsë në datën 27.06.2019, KQZ- ja ka kontaktuar me kompaninë sllovene për të prodhuar sërish fletët e votimit për KZAZ- në Nr. 6 dhe fletët e votimit janë prodhuar paraditen e datës 28.06.2019. Transporti i fletëve të votimit është bërë në datën 29.06.2019 dhe kanë kaluar Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit rreth orës 01: 30- 02: 00 të mëngjesit të datës 30 qershor 2019. Në procesverbalin e mbajtur nga punonjësit e Doganës në dt. 30.06.2019, ora 02: 15 minuta, shkruhet në mënyrë të qartë e gjithë procedura e ndjekur nga automjeti tip ' Peugeot Boxer' me targë sllovene ' CE TM 580', në prani të Drejtorisë së Logjistikës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Punonjësit e Doganës theksojnë në procesverbal, se për shkak se sistemi ASYCUDA nuk është në funksion ( ristartim sistemi), pasi bëhet hedhja e të dhënave nga ora 00: 00 deri rreth orës 06: 00, duke u nisur nga rëndësia e mallit të ngarkuar në mjet ( materiale zgjedhore), pas marrjes së dakordësisë së eprorëve të tyre dhe në zbatim të Kodit Doganor për procedurat e thjeshtuara, është aplikuar procedura e deklarimit të thjeshtuar dhe me rregullimin e sistemit do të hartohej dhe deklarata doganore", sqaron KQZ- ja, duke nxjerrë edhe dokumentet e Doganës së Hanit të Hotit. Ndërkohë për demokratët, me reagimin e saj KQZ- ja është thelluar edhe më shumë në skandal. "Alibia qesharake e KQZ- së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë. Çdo letër tjetër e prodhuar me dorë për llogari të propagandës së Edi Ramës, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, vetëm sa e thellon skandalin. Ajo provon se në këto votime Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale", tha Ivi Kaso.