Arben Malaj nuk duhej emëruar! Tashmë nuk duhet shkarkuar!
Pyetja kryesore është nëse Arben Malaj, ish- ministër i Partisë Socialiste deputet i Partisë Socialiste dhe kundërshtar i hapur i Kryeministrit Edi Rama, duhej të ishte emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë?... Unë mendoj se jo! Pasi ky pozicion u përdor nga Partia Socialiste vetëm...
si një instrument për të qetësuar politikisht Arben Malaj e jo si një balancë për politikat “ekspansioniste” përkundrejt atyre “konservatore” në përbërjen e Këshillit Mbikëqyrës. Gabimi, pra, thelbësor me politikat ekonomike është përdorja e “qokave” politike në kurriz të institucioneve të pavarura ekonomike si Banka e Shqipërisë.
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, shprehej gjatë kohës që ishte në detyrë se: “Nëse ne dukemi të mërzitshëm, atëherë jemi duke e bërë punën mirë si Bankë Qendrore”. Banka e Shqipërisë, në tërësinë e institucioneve ekonomike në Shqipëri, ka kryer mirë detyrat e saj siç edhe shprehet së fundmi raporti i monitorimit të FMN- së. Pavarësia e Bankës së Shqipërisë nuk është vendosur në pikëpyetje asnjëherë dhe nuk ka qenë diskutim publik që prej kohës kur u arrestua dhe zëvendësua guvernatori Fullani. Zoti Malaj, në kohën kur u njoftua publiku për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, kërkoi “menjëherë investigim nga Parlamenti për të nxjerrë përgjegjësit”. Me këtë qëndrim, zoti Malaj tregoi se ishte i gatshëm t’i jepte më shumë pushtet Parlamentit që të ndërhynte në një çështje të brendshme të Bankës së Shqipërisë. Por ky mbetet një debat profesional dhe çështje vizionesh shtetformimi. Dhe për këtë arsye, megjithëse ligjërisht ai mundet të shkarkohet nga Parlamenti, unë mendoj se z. Malaj duhet shkarkuar si rezultat i kërkesës së vetë Këshillit Mbikëqyrës për thyerje, që ai mundet të ketë bërë në funksionin e tij si anëtar i këshillit.
Publiku duhet të kuptojë se “Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ai është përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe për miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj”. Kështu shkruhet në rregulloren e Bankës së Shqipërisë për rolin që ka Këshilli Mbikëqyrës, i cili është i përbërë nga nëntë anëtarë, të cilët janë “të urtët” e ekonomisë sonë, pasi ata duhet të marrin vendime të rëndësishme mbi normën bazë të interesit dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar në vend. Ekonomia ka dy timonierë të politikave publike: Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore. Të dyja këto duhet të jenë në harmoni me njëra- tjetrën, por po ashtu të pavarura dhe nga njëra- tjetra për të kryer në mënyrë sa më të mirë detyrën e tyre. Banka e Shqipërisë nuk ka të njëjtën qasje për mbarëvajtjen e ekonomisë me Ministrinë e Financave. Është kjo “konkurrencë” mes të dyjave, që e bën një sistem makroekonomik të qëndrueshëm. Kur këto përgjegjësi mbeten në dorë të njërës palë, ekonomia përfundon me probleme të tilla si inflacioni dhe kriza financiare...
Pavarësia e Bankës Qendrore si praktikë ligjore erdhi vetëm në fillim të viteve 1990 anembanë botës, pasi politikanët keqpërdorën Bankën Qendrore për një kohë të gjatë me norma të ulëta interesi për të nxitur ekonominë e për të rritur punësimin, kryesisht në kohë zgjedhjesh. Literatura akademike sugjeroi se inflacioni do të luftohej vetëm nëse Banka Qendrore kishte një mision të qartë: inflacionin; dhe nëse trupa drejtuese e saj do të ishte ligjërisht e pavarur nga qeveria, por llogaridhënëse në parlament. Ky ishte një ndryshim në pamje të parë i lehtë institucional, por që solli më pas ndryshime radikale në menaxhimin e ekonomisë. Sot, inflacioni nuk është më problem për ato banka që janë të pavarura dhe bankat qendrore janë të “parashikueshme në sjelljen e tyre aq sa duken të mërzitshme”. Ato kanë objektiva të paracaktuara dhe kanë një staf profesional që i përgjigjet për të mbikëqyrur e për t’i dhënë zgjidhje një bote financiare gjithnjë e më komplekse dhe të paparashikueshme.
Rasti “Malaj” nuk është rasti i një debati idesh, por simbol sesi politika e qokave sjell paqe të përkohshme e probleme afatgjata institucionale. Rasti “Malaj” tregon dhe një herë se politika e përdori për qokë të saj këtë pozicion dhe po ashtu, për shkak të prishjes së kësaj marrëveshjeje, vendos ta shkarkojë atë. E këtu preket pavarësia e Bankës së Shqipërisë. Rasti “Malaj” është një keqinterpretim i rolit që kanë apo duhet të kenë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ata duhet të jenë “të mërzitshëm” dhe duhet të komunikojnë në publik me shumë kujdes vetëm për çështje që lidhen direkt me funksionin e tyre publik si përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Banka bën politika, por nuk është politike! Ndërkohë, zoti Malaj, me vetë angazhimet e tij publike si ish- ministër e ish- deputet i Partisë Socialiste, i ka dhënë debatit publik këto muaj më shumë diskutime politike sesa qëndrime mbi politika ekonomike.
Ky është një debat për të ardhmen dhe rasti “Malaj” do të mbahet mend gjatë sesi një gabim i parë mundohet të rregullohet me një veprim tjetër po gabim. Me sa duket, pozicioni i mërzitshëm i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së BSH i rri ngushtë zotit Malaj e çdo politikani tjetër që merr pozicione publike, që lipsen të jenë të paanshëm.
Qeveria, me të drejtë, ndien shqetësim që nga dritarja e një institucioni të pavarur të goditet politikisht. Kjo nuk qëndron! Por do të ishte e udhës që shkarkimi prej Parlamentit të vijë, pasi të jetë shprehur Banka e Shqipërisë si palë direkte e interesuar për një Këshill Mbikëqyrës profesional e jo politikë. Banka e Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim publik me këtë çështje dhe të shpjegojë nëse anëtari i Këshillit Mbikëqyrës ka tejkaluar funksionin e tij dhe dëmtuar Bankën me angazhimet e tij politike. Kjo ndihmon institucionin të ruajë pavarësinë e tij në sytë e publikut. Ky është një precedent i vetëkrijuar nga qeveria dhe me pasoja për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri.