Tërmetet në Korçë, nis ndërtimi i 40 shtëpive të para
Familjet me persona të sëmurë dhe fëmijë përfitojnë të parat. Çako: Janë hartuar projekte specifike për secilën familje
1 muaj e gjysmë pas tërmeteve që u shënuan në zonën e Korçës duke shembur qindra banesa, është rikthyer shpresa për banorët.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur hapin e parë për ringritjen e shtëpive të banorëve të Floqit. Tërmetet që nisën në 1 qershor dhe vazhduan për ditë të tëra shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke rrënuar dhjetëra banesa e duke dëmtuar qindra të tjera. Banorët për 1 muaj e gjysmë kanë kaluar ditët dhe netët mes çadrave të kampit që u ngrit për ta dhe më pas u zhvendosën në ambientet e shkollës dhe qendra sociale, duke u përballur me kushte të vështira. Ministrja Belinda Balluku, e shoqëruar edhe nga Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, dha për banorët lajmin e fillimit të ndërtimit të 40 banesave të para të shkatërruara nga tërmeti. Teksa e quajtën një demonstrim simbolik fillimin e punimeve në banesën e Vangjeli Ramollit, ata sqaruan se Floqi do të jetë një kantier ku firma të ndryshme do të punojnë paralelisht për ndërtimin e banesave. Familjet e para që do të përfitojnë ndërtimin e banesave janë familjet, të cilave u janë shkatërruar plotësisht shtëpitë dhe që kanë mbetur në qiell të hapur. Familje me persona të sëmurë, të moshuar, fëmijë të vegjël, mëngjesin e 1 qershorit dolën të tmerruar nga banesat e tyre në fshatin Floq, teksa muret u shembeshin pas shpine, duke pasur me vete vetëm rrobat e trupit dhe asgjë tjetër. Reagimi i institucioneve gjeti një alternativë minimale për ta, duke i strehuar përkohësisht në një kamp me çadra e më pas në ndërtesën e shkollës, por me kalimin e ditëve gjithçka nisi të bëhej më e vështirë për qëndrimin e tyre. Mbërritja e ministres, pavarësisht motit të keq dhe reshjeve të shiut, bëri që banorët të dalin dhe të përqendrohen pikërisht te vendi ku nisën punimet, banesa e Vangjelisë, të moshuarës e cila kujdeset edhe për 3 anëtarët e familjes së saj që janë me aftësi të kufizuara. Banorët, të cilët thuajse i kishin humbur shpresat se do të kishin një strehë këtë vit, kanë duartrokitur vendimin dhe fillimin e punimeve. “Qeveria shqiptare është impenjuar për të ngritur fonde solidariteti qoftë nga bizneset, bashkitë, ambasadat dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur. 124 shtëpitë që janë të pabanueshme do të ndërtohen. Janë 40 shtëpi që do të nisin nga puna. Jemi duke nisur simbolikisht me njërën nga banesat. Sot një ditë me shi, si për të na treguar që duhet t’i marrim sa më shpejt masat. Kantieret do hapen paralelisht në zonë dhe do nisin punën menjëherë. Të gjithë investitorët do nisin punën paralelisht, edhe në Qafëzez, edhe në Vidohovë. Ne kemi prioritizuar familjet me vështirësi sipas kritereve apo problemeve sociale. Do nisim punë nga ata që janë më të dëmtuar. Këto fonde janë siguruar nga investitorët që bashkëpunojnë me ministrinë, ndërsa përveç këtyre janë edhe fondet dhe kontributet e qeverisë, bashkive të tjera etj.”, tha Balluku.