“Babalja”, përgjimet vënë në siklet ish- shefin e Policisë
Avokatët pyesin për “shefin e madh” ish- kreun e Policisë së Fierit, Nushi: E kam pasur për Drejtorin e Përgjithshëm
Gjykata e Tiranës dëgjoi dëshminë e ish- drejtorit të Policisë së Fierit, Albert Nushi, për dosjen ndaj Albert Veliut ose të ashtuquajturit "Babale" dhe tre të pandehurve të tjerë.
Prokuroria ka marrë të pandehur Albert Veliun, Fredi Alizotin, gazetarin Jetmir Olldashi dhe ish- deputetin Ervin Salianji, për audio- përgjimin e publikuar rreth një vit më parë, ku pretendonin se vëllai i ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, fliste me Albert Veliun për trafik narkotikësh. Kjo audio u gjet e stisur nga Prokuroria, që i akuzon për kallëzim të rremë në bashkëpunim. Ndërkohë, Nushi është personi që ka shoqëruar të pandehurin Fredi Alizoti, dëshmitarin kyç të dosjes që pretendon se ka interpretuar zërin e Agron Xhafajt në Prokurorinë për Krime të Rënda. Në dëshminë e tij, ai shpjegoi situatën se si është njohur me Fredi Alizotin dhe faktin se pse, është ai që e ka shoqëruar atë në Tiranë. Ndërsa më tej, u pyet nga avokatët e gazetarit Jetmir Olldashi dhe ish- deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për përgjimet, ku Nushi rezulton se ka folur disa herë me Alizotin. Dy avokatët vunë në diskutim dëshminë e ish- drejtorit të Policisë së Fierit, duke e konsideruar hetimin e Prokurorisë si "një kështjellë rëre të ngritur me prova të stisura".
PYETJET
"Unë kam disa pyetje për dëshmitarin", tha avokati i Jetmir Olldashit, Indrit Sefa, teksa mori fjalën. Ndërsa i përmendi përgjimet, të cilat, sipas tij, nuk janë në dosje pasi nuk i interesonin Prokurorisë, Sefa e pyeti Nushin nëse ata kishin pasur ndonjë kërkesë nga Prokuroria për të mbajtur në vëzhgim dhe të trajtonin në atë formë Alizotin pas shoqërimit. Nushi u përgjigj se kishin marrë, i ishte kërkuar që ta mbanin nën kontroll, por jo me shkrim. Më tej, avokati e pyeti ish- shefin për një përgjim tjetër, ku Alizoti i kërkonte takim "me shefin e madh", se për kë bëhej fjalë. Nushi tha se ai kishte shef drejtpërdrejt Drejtorin e Përgjithshëm, dhe nëse e kishte thënë këtë, e kishte pasur fjalën për drejtorin. Ndërkohë që pyetjet e avokatëve shpeshherë ndërpriteshin edhe nga Gjykata, që një pjesë i konsideronte si jashtë objektit të gjykimit. Më gjithë këtë, avokatët, më shumë se sa për shoqërimin që ka bërë Albert Nushi, u përqendruan në përgjime. Sefa e pyeti këtë të fundit edhe për telefonatat ku Alizoti e "kërcënonte" se do të fliste direkt me Ballën dhe Gramozin, se për kë bëhej fjalë në këtë rast, por Nushi tha se nuk e dinte se për çfarë bëhej fjalë. Ndërkohë, pranoi që në një rast i kishte dhënë lekë Alizotit dhe këtë e kishte bërë ditën e shoqërimit në Prokurorinë për Krime të Rënda. "Po, i kam dhënë, sepse më tha se nuk kishte as lekë dhe as hotel. Ka qenë e vetmja herë dhe i thashë që për këto të drejtohej te Prokuroria herën tjetër", tha Nushi.
FAKTI I RI
Avokati Indrit Sefa e pyeti Nushin në lidhje me përgjimet ku dëgjohej t'i thoshte Fredi Alizotit që të shkonte të takonte prokurorin, duke i dhënë edhe numrin e tij. "Pse e keni drejtuar Alizotin te prokurori?", tha avokati, ndërsa, sipas Nushit, kjo ka ndodhur me siguri sepse ka pasur direktiva nga prokurori. Megjithëse nga Nushi nuk u përmend emri i prokurorit të identifikuar si "një person i shëndoshë", avokati tha se do të kërkonte edhe thërritje e Gentian Osmanit, ish- prokurorit të Krimeve, që tashmë është anëtar i KLP- së, për të bërë ballafaqim të deklarimeve, pasi këto gjëra nuk janë ditur më parë. Ndërkohë, gjatë përgjigjeve të dhëna për avokatët, Nushi shtoi se ata i kishin kërkuar Prokurorisë ta vënë në përgjim Alizotin, pasi ata nuk mund ta kontrollonin dot. Sefa e pyeti ish- shefin e Policisë së Fierit edhe për një komunikim të tij me Alizotin, ku i thotë "i more ato". Avokati kërkoi të dinte se kush ishin "ato", ndërsa Nushi u shpreh se ai nuk mund të mbante mend çdo gjë dhe se një pjesë e gjërave janë edhe informacione policore.
DËSHMIA
"Unë Fredi Alizotin e njoh për shkak të detyrës. Ka qenë mesditë, në pranverë besoj, kur po udhëtoja drejt Tiranës dhe më sinjalizuan nga salla operative se një person këmbëngulte të më kontaktonte, pasi pretendonte se do të kallëzonte, se ishte ai që kishte interpretuar Agron Xhafajn në audio- përgjimin e ' Babales'. Jam kthyer në Fier dhe e kontaktova. Më pas kam kontaktuar me Prokurorinë e Fierit dhe më vunë në dijeni se duhet ta çoja në Tiranë, pasi Prokuroria për Krimet e Rënda kishte nisur një procedim për këtë çështje. E shoqërova në Tiranë te Krimet, ku ia dorëzova një prokurori të cilin nuk e njoh. Gjatë rrugës e kam pyetur për disa gjëra, për të parë nëse ishte i vetëdijshëm dhe i thashë që po vetinkriminohej dhe se me faktet që po me tregonte e vinin para përgjegjësisë ligjore. Ndërkohë, pasi dha shpjegime në Prokurori më kërkoi ta çoja te Tirana e Re. Atje më tha se nuk kishte ku të rrinte apo flinte dhe i dhashë 20 mijë lekë të vjetër nga të miat për të fjetur. Më pas i thashë që duhet të fliste me prokurorin për këto gjëra", tha Albert Nushi.