Rrëzimi i zgjedhjeve në Durrës, Basha: Vendim që sjell shpresë
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e vlerësoi vendimin e marrë nga Gjykata e Durrësit për rrëzimin e zgjedhjeve në këtë bashki si një shpresë se në vend ka gjyqtarë që e kanë të shenjtë Kushtetutën. Përmes një reagimi për mediat, pas refuzimit nga Gjykata për t’i dhënë mandatin kandidates së PS- së, Valbona Sako, kryedemokrati deklaroi se procesi i 30 qershorit ishte një farsë e masakër kushtetuese. “Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajë dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, tha Basha. Edhe për kryetaren e LSI vendimet e gjykatave treguan pavlefshmëri të zgjedhjeve. Kryemadhi kërkoi nga Prokuroria të nisë procedim për anëtarët e KQZ. “Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë, pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative. Që pas këtij momenti, çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim. Nul i gjithë procesi. I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për ‘ Shpërdorim detyre’, në ngarkim të anëtarëve të KQZ”, deklaroi Kryemadhi.