Kandidati për Prokurorinë e Përgjithshme përballet me vetingun pa probleme serioze
KPK kërkoi shpjegime nga Çela për shitjen e një apartamenti, disa hua dhe pushimet e hetimit për një dosje të 2006- s
Kandidati për Prokurorinë e Përgjithshme, Olsian Çela, doli këtë të premte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte hetuar atë në të tri kriteret.
Në një seancë që zgjati rreth dy orë, prokurori i Krimeve të Rënda, më herët edhe drejtues i kësaj Prokurorie, dëgjoi rezultatet e hetimit ndaj tij dhe dha shpjegime në lidhje me disa problematika të ngritura nga treshja që kishte kryer hetimin. Çela është një nga katër kandidatët që pretendojnë të jenë Kryeprokuror me mandat 7vjeçar, ndërsa procesi i vetingut për të kishte ndalur procesin e pikëzimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, që pritet të vazhdojë normalisht pas vendimit të KPK- së.
PASURIA Duke iu referuar relacionit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokurorin e Krimeve të Rënda nuk janë konstatuar problematika serioze në asnjë prej tri kritereve, megjithëse relatori Olsi Komici tha se për disa çështje të pasurisë i janë kërkuar shpjegime. Më konkretisht, hetimi për pasurinë e Çelës ishte përqendruar në blerjen e një njësie prej 77.8 metrash katrorë, në vlerën 78 mijë e 500 euro në vitin 2015, njësi e shitur në vitin 2018. "Nga hetimi i KPK- së, ka rezultuar se deklarimi është i saktë dhe nuk janë ngritur probleme për këtë pasuri", tha Komici, ndërsa më tej shtoi se prokurorit i ishte kërkuar shpjegime për arsyen e shitjes së apartamentit nënës së tij, sepse vlerën e përfituar e ka deklaruar si burim për blerjen e njësisë. Në sitë kanë kaluar edhe burimet për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2011 nga Çela, në vlerën e 6 milionë lekëve. Si burim për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2011, ndër të tjera prokurori ka deklaruar edhe tri hua, për të cilat KPK i ka kërkuar që japë shpjegime dhe dorëzojë prova që huadhënësit kanë pasur mundësi për të dhënë huat e cituara. "Subjekti ka marrë një hua në shumën 900 mijë lekë nga Xh. A., me shtetësi italiane. Për këtë hua, prokurori ka paraqitur dokumente që do të merren parasysh nga Komisioni. Hetimi është kryer edhe për një hua në shumën 800 mijë lekë, marrë nga R. M., pa kontratë, pa afat dhe interes. Huadhënësja ka dorëzuar dokumente për të vërtetuar të ardhurat e saj në Greqi. Pas hetimeve ka rezultuar se kjo shtetase ka pasur burime për t'ia dhënë subjektit këtë shumë parash. Hua në vlerën 700 mijë lekë nga një shtetas me inicialet A. A., me banim në Greqi. Nga dokumentet e dorëzuara, ka rezultuar se shtetasi A. A. ka pasur burime për të dhënë këtë shumë, edhe subjekti ka pasur mundësi shlyerje të kësaj shume", tha relatori.
FIGURA DHE PROFESIONALIZMI Në kriterin e pastërtisë së figurës, kandidati për Kryeprokuror ka rezultuar pa probleme dhe i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. "DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Nuk janë gjetur indicie për lidhje të subjektit me krimin e organizuar apo të ketë kontakte të papërshtatshme", tha Komici. Në lidhje me aftësitë profesionale, KLP ka dorëzuar një raport, ku evidentohen aftësi të mira të prokurorit. Komisioni tha se nga hetimi është konstatuar se prokurori respekton etikën, integritetin dhe paanësinë në punë. "Komisioni ka shqyrtuar 3 dosje të përzgjedhura nga vetë subjekti dhe 5 të shortuara. Në katër dosje të shortuara nuk janë gjetur probleme", sqaroi Komici. Ndërkohë, në një prej dosjeve është konstatuar se është marrë vendimi për mosfillim të procedimit penal. KPK i kërkoi shpjegime Çelës për mosfillimin e hetimit për këtë rast. Prokurori shpjegoi se, pavarësisht përgjimeve, për të dyshuarit nuk kishte pasur prova dhe se në atë kohë nuk kishin gjetur edhe bashkëpunimin e Policisë për kryerjen e veprimeve hetimore.