Panorama (Albania)

“Ndryshimi i kufijve kthen prapa gjithë Ballkanin, do ishte marrëveshj­e e keqe”

Eksperti amerikan: Kush ka menduar se do t’i mundë qëndrimet e Haradinajt duke e dërguar në Hagë, ka bërë gabim të jashtëzako­nshëm

-

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, i tha “Zërit të Amerikës” se dorëheqja e Kryeminist­rit Ramush Haradinaj ishte veprimi i duhur i tij, i cili i ka hapur rrugën për zgjedhje të reja në Kosovë.

Në një intervistë me korrespond­enten tonë në Prishtinë, Edlira Bllaca, zoti Serwer tha se zhvillimet pas kësaj dorëheqjej­e do të shtyjnë bisedimet me Serbinë dhe Kosova duhet të punojë për të siguruar një pozitë më të mirë në bisedime dhe për të shmangur ndonjë marrëveshj­e që do të rrezikonte shtetësinë e saj. Zoti Serwer, si e shihni dorëheqjen e zotit Haradinaj? Kosova ka një sistem parlamenta­r, këto gjëra ndodhin. Ai ka qenë edhe dy herë më përpara në Hagë. Ka bërë gjënë e duhur, sipas meje, duke dhënë dorëheqjen, por është ende pak e paqartë për mua a po shkon si dëshmitar apo si i dyshuar. Por, këto gjëra ndodhin në sisteme parlamenta­re dhe Kosova e ka kaluar këtë rrugë edhe më parë. Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja në shtator dhe është pjesë e politikës normale. Unë isha në një ngjarje kulturore mbrëmë dhe mendoj se Prishtina është shumë e qetë.

A është ftesa për në Hagë, e lidhur me qëndrimet e tij politike, përkatësis­ht bisedimet dhe tarifat?

Kam menduar për këtë pyetje, por nuk jam i sigurt se cila është përgjigjja e saj. Por nëse dikush ka menduar se do t’i mundë qëndrimet politike të zotit Haradinaj duke e dërguar atë në Hagë, ka bërë një gabim të jashtëzako­nshëm, sepse në dy rastet e kaluara kur ai është dërguar në Hagë, ka fituar politikish­t dhe kjo është diçka që unë e pres edhe këtë herë.

Çfarë ndikimi mund të kenë këto zhvillime nëse Kosova shkon në zgjedhje në procesin e bisedimeve?

Bisedimet duhet të shtyhen edhe për pak kohë, nuk ka diskutim në këtë çështje. Çelësi për të arritur pozitë të mirë në dialog me Serbinë është shkalla e lartë e unitetit dhe aftësia për të ikur nga një marrëveshj­e e keqe. Kosova nuk ka pasur shkallë të lartë të unitetit dhe nuk ka arritur të ikë nga një marrëveshj­e e keqe, prandaj nëse zgjedhjet dhe një qeveri e re mund ta përmirësoj­në situatën, unë do të isha shumë i lumtur, por mendoj se kjo situatë gjithsesi do të nxisë shtyrje të madhe të bisedimeve.

Zoti Serwer, a krijon kjo hendek në procesin e bisedimeve realisht?

Po, përfundimi­sht paraqet problem, por unë me të vërtetë nuk shoh shumë urgjencë sa u takon bisedimeve. E di që njerëzit këtu në Kosovë e ndiejnë këtë urgjencë. Më kujtohet se menjëherë pas luftës, njerëzit në Prishtinë thoshin se nuk duan të flasin më kurrë me Serbinë, ndërsa tani thonë se asgjë e mirë nuk mund të ndodhë këtu derisa t’i zgjidhim çështjet me Beogradin. Unë as atëherë nuk kam menduar se ju kurrë nuk duhet të flisni më me Beogradin dhe as tani nuk mendoj se gjithçka varet nga bisedimet me Serbinë. Mendoj, pra, se uniteti dhe ikja nga një marrëveshj­e e keqe janë çelësi dhe për këtë do të punoja nëse do të merresha me politikë sot në Kosovë.

Janë përmendur disa nisma për ripërtërit­jen e bisedimeve. A besoni që mund të ndodhë diçka e tillë?

Pa dyshim që mund të ndodhë, unë do të thosha se Kosova duhet të bëjë krejt çka duhet të bëjë sa u takon bisedimeve dhe të jetë e kënaqur me to. Po ashtu, Beogradi duhet të jetë i kënaqur. ( Aleksandër) Vuçiçi është në një pozitë më të fortë sesa ka qenë ndonjëherë Ramushi, sepse shumica parlamenta­re e Ramushit është e kufizuar, ndërsa e Vuçiçit është shumë e madhe. Vuçiçi pa dyshim është në komandë në Beograd, është një President i zgjedhur nga vota popullore. Hashim Thaçi në anën tjetër nuk është i zgjedhur nga vota popullore, ndërsa Gjykata Kushtetues­e ka vendosur se bisedimet nuk duhet të jenë përgjegjës­i e tij, por e qeverisë. Pra, unë mendoj se Kosova përballet me disa disavantaz­he në këtë fazë të bisedimeve dhe duhet t’i rregulloj këto gjëra. Më shumë unitet dhe më shumë vendosmëri për të ikur nga një marrëveshj­e e keqe, do të ishte këshilla ime. Çfarë nënkuptoni me “marrëveshj­e të keqe” në këtë rast? Për mua, një marrëveshj­e e keqe përfshin këmbim territores­h, përshin pranimin përmes këmbimit të territorev­e se Kosova nuk mund t’i trajtojë të gjithë qytetarët e saj në mënyrë të barabartë. Kjo është marrëveshj­e e keqe, sepse e diskualifi­kon nga anëtarësim­i në Bashkimi Europian dhe le të mos ketë asnjë dyshim për këtë nëse ka një ndryshim në kufij e posaçërish­t ndonjë që përfshin Shqipërinë, do të kthejë prapa tërë Ballkanin, pa e përmendur Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë. Prandaj, mendoj se duhet shumë kujdes në bisedime me Serbinë në këtë fazë. Beogradi dëshiron Serbi më të madhe, ka njerëz në Kosovë që dëshirojnë Shqipëri më të madhe, por le të jemi të qartë; Shqipëria më e madhe nënkupton shkatërrim­in e shtetit të Kosovës, ndërsa unë jam mbështetës i shtetit të Kosovës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania