Letra e PD për Kolegjin Zgjedhor para vendimeve: Prisni Kushtetuesen
Partia Demokratike i kërkoi përmes një shkrese zyrtare Kolegjit Zgjedhor të pezullojë dhënien e mandatave për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për 30 qershorin. Letra e firmosur nga numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi, i kërkonte Kolegjit Zgjedhor përpara se ai të vendoste për dhënien e mandateve për këshilltarët bashkiakë, që të priste vendimmarrjen e Kushtetueses për ankimimin që ka bërë Shoqata e Bashkive për vlerësimin e kushtetueshmërisë për zgjedhjet e 30 qershorit. “Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetutshmërinë e votimeve të 30 qershorit, siç provohet edhe nga vërtetimi nr. S- 7 i aktit, datë 18.07.2019, i sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, të cilin e gjeni bashkëlidhur. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, që lidhet me dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019, dhe dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019, të Presidentit të Republikës, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të këshillive monopartiakë bashkiakë. Sipas shkronjës ‘ a’ të nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër. Në rastin konkret, Kolegji Zgjedhor nuk mund të vendosë pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”, thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi. Letra për pezullimin e shpërndarjes se mandateve nga Kolegji i është dërguar për dijeni edhe ODIHR- it, ONM- së, BE- së dhe ambasadave kryesore në Tiranë. Në shkresën e tij, numri dy i demokratëve nuk i kurseu rezervat ndaj Kolegjit Zgjedhor për vendimmarrjet e deritanishme. Sipas tij, vendimet e deritanishme të Kolegjit kanë qenë të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të qeverisë. Kërkesa e Partisë Demokratike ndaj Kolegjit Zgjedhor erdhi disa ditë pas një tjetër shkrese, që iu dërgua Kryeprokurores Arta Marku. Demokratët kërkuan nga drejtuesja e Prokurorisë të mos pengojë në hetimin e krimeve zgjedhore, që janë konsumuar në procesin e 30 qershorit.