Kopshti Botanik i kalon Bashkisë, FSHN: Të tërhiqet
“Vendim arbitrar i qeverisë, bie ndesh me ligjin e arsimit”
Pesë ditë pasi qeveria miratoi vendimin për të kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë një sipërfaqe toke të Kopshtit Botanik, ku pedagogët e Shkencave të Natyrës kryenin punën kërkimore- shkencore vjen reagimi i ashpër i fakultetit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ata shprehen unanimisht kundër këtij vendimi, duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet me shpejtësi. Në të kundërt, do të ndërmarrin hapa të tjerë. “Kjo deklaratë është hapi i parë i reagimit zyrtar dhe publik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në kundërshtim të këtij vendimi, me besim që reagimi i qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Në të kundërt, ne jemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për anulimin e kësaj VKM- je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor i pazëvendësueshëm”. Në deklaratën e pedagogëve thuhet se vendimi arbitrar bie ndesh me VKM- në e vitit 1965 për krijimin e Kopshtit Botanik e madje dhe me ligjin aktual të arsimit të lartë, ku cenohet rëndë autonomia dhe liria akademike. “Vendimi për kalimin në pronësi dhe administrim të Bashkisë jo vetëm cenon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me ligjin e arsimit të lartë, por dhe do të bënte të pamundur funksionin e këtij institucioni, produkt i punës së përkushtuar mëse 60- vjeçare të brezave të pedagogëve e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës”. FSHN është shumë skeptike me fatin e pronës në fjalë, duke përmendur një sërë përvojash të hidhura të ngjashme që ka pasur, si me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë e deri te godina 2- katëshe po në Kopshtin Botanik, që sot nuk është më. Gjithsesi, sot për sot kemi vetëm një vendim qeverie, ku citohet se bashkia do t’i përdorë ato për ushtruar funksionet e veta dhe asnjë deklaratë nga ana e saj që e specifikon atë. Sipas vendimit, Bashkia e Tiranës dhe universiteti lidhin një marrëveshje me qëllim garantimin e ushtrimit të aktivitetit mësimor e të veprimtarive kërkimore- shkencore të universitetit në pasurinë që prej pak ditësh i kaloi bashkisë. Po ashtu, kjo e fundit nuk lejohet të ndryshojë destinacionin e saj apo t’i tjetërsojë pronat e marra me vendim qeverie.