Reali tremb Barçën, 90 milionë euro dhe Bejlin për Nejmarin
Uellsiani prish planet, e joshin milionat e Kinës, Zidane: Nëse ikën që sot, do jetë më mirë për të gjithë
Një rikthim i mundshëm i Nejmarit te Barcelona është pistë që po ftohet nga dita në ditë.
Nga ky moment mund të përfitojë Reali, i cili do të bëjë një tentativë për të transferuar sulmuesin brazilian në Madrid. Një pistë shumë e vështirë, pasi duhet të plotësohen shumë kushte për të arritur në konkretizim, por gazeta katalanase "Mundo Deportivo" shkruan se Florentino Perez po mendon të bëjë një ofertë konkrete në drejtim të Naser Al Khelaifit: 90 milionë euro dhe kartonin e Garet Bejlit për të transferuar Nejmarin. Shifra duket e kënaqshme, por vështirë që Leonardo të pranojë. PSG- ja e ka bërë të qartë se kërkon vetëm para dhe asnjë lojtar tjetër për ta lënë të lirë Nejmarin, ndërkohë që Bejl shihet me pikëpyetje, për shkak të dëmtimeve. Duket një tentativë e dështuar ende pa nisur mirë, por kjo nuk i pengon madrilenët që të lëvizin dhe të tentojnë të bëjnë realitet një ëndërr të vjetër të Florentino Perezit. Në Brazil ka shumë tifozë të Realit dhe një lëvizje e tillë do të ndihmonte skuadrën edhe në aspektin e marketingut, pavarësisht se "galaktikët" janë të pozicionuar mirë në këtë aspekt dhe nuk kanë probleme. Lajmi bëhet i besueshëm për faktin se Barcelona nuk po lëviz dhe tani është e përqendruar te faza përgatitore në Japoni. Vetë Leonardo një ditë më parë tha se katalanasit nuk kanë bërë asnjë ofertë në drejtim të PSG- së, ndërsa Tuhel hodhi hapin e parë për të bërë paqe, duke e konsideruar Nejmarin një lojtar të rëndësishëm të skuadrës. Deri në fundin e merkatos pritet të ketë zhvillime, edhe pse Bejl këtë herë mund të jetë planprishësi për kalimin e Nejmarit në Madrid. Përpara ofertave të shumta milionere nga Kina dhe një tjetër aventure në Europë, ai është i prirur që të transferohet në Kinë. Bejl e ka pranuar gjithmonë se nuk largohet nga Reali i Madridit, për shkak të rrogës së lartë ( 17 milionë euro) dhe kontratës 3- vjeçare që ka me "galaktikët". Tani që dolën në skenë skuadra të cilat ofrojnë rrogë kaq të lartë, uellsiani mund ta ketë më të lehtë të largohet. Zinedin Zidan tha: "Nëse ikën që sot, do të jetë më mirë për të gjithë".