Panorama (Albania)

“Largimi i Haradinajt, kush do ndarjen e Kosovës mund ta shfrytëzoj­ë këtë situatë”

Analisti amerikan: Është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur, që përfaqëson në mënyrë të saktë vullnetin e gjithë popullit të Kosovës

-

Analisti amerikan Edward P. Joseph thotë se për një çështje të rëndësishm­e si marrëdhëni­a e Kosovës me Serbinë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, profesori i Universite­tit, Johns Hopkins, thekson se dorëheqja e zotit Haradinaj ka krijuar një boshllëk që mund të zgjidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshm­e. Sipas tij, është e rëndësishm­e të ketë një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël në përpjekjet për rifillimin e dialogut Prishtinë- Beograd. Me zotin Joseph bisedoi gazetari i “Zërit të Amerikës”, Festim Gashi.

Zoti Edwards, të mërkurën prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë morën në pyetje ish- Kryeminist­rin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në cilësinë e të dyshuarit. Zoti Haradinaj të premten dha dorëheqjen nga posti i Kryeminist­rit të Kosovës, pasi mori një thirrje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Si i shihni ju këto zhvillime?

Kjo është një situatë e pazakonshm­e. Natyrisht, në rastin e ish- Kryeminist­rit Haradinaj nuk është një rast i papreceden­t. Kjo tashmë ka ndodhur një herë në të kaluarën në vitin 2005. Nga pikëpamja ime, kjo në fakt është një mundësi e rëndësishm­e për zotin Haradinaj dhe për Kosovën. Krimet e së kaluarës, ato të serbëve kundër shqiptarëv­e, ato të shqiptarëv­e kundër serbëve dhe shqiptarëv­e të tjerë, ose krimi i pazgjidhur që mund të jetë kryer nga serbët kundër Oliver Ivanoviçit, rëndojnë mbi Kosovën. Në fakt, kjo është një mundësi e rëndësishm­e për zotin Haradinaj dhe për Kosovën për të ecur përpara, duke dalë para një gjykate të hapur dhe duke iu përgjigjur hapur dhe qartë pyetjeve mbi veprimet e së kaluarës dhe dyshimet për veprime kriminale në të kaluarën.

Çfarë ndikimi mendoni do të ketë dorëheqja e zotit Haradinaj mbi zhvillimet në Kosovë?

Ky është një zhvillim i madh për politikën e brendshme në Kosovë. Ish- Kryeminist­ri Haradinaj kishte kundërshti­me të thella me Presidenti­n Thaçi mbi qasjen ndaj bisedimeve të rëndësishm­e me Serbinë dhe diskutimet për njohje të Kosovës nga Serbia, që është pjesë e rrugës së përgjithsh­me të Kosovës drejt anëtarësim­it në OKB, operimit të saj si një vend normal dhe në fund anëtarësim­it të saj në Bashkimin Europian, që është e rëndësishm­e për të dyja vendet. Pra, ky zhvillim sjell një element të ri: largimin e zotit Haradinaj për momentin nga ekuacioni. Por nga ana tjetër, në njoftimin e tij të dorëheqjes, ai këmbënguli që të vazhdojë të ruhet qëndrimi i tij i fortë kundër çdo ndarjeje territoria­le të Kosovës, ose krijimit të një entiteti si Republika Serbe brenda Kosovës, qëndrim që ka mbështetje brenda partisë së tij dhe në Kosovë.

Zoti Haradinaj, në njoftimin e tij për dorëheqje i bëri thirrje Presidenti­t Thaçi që të takohet me udhëheqësi­t e partive politike në vend dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshm­e. Çfarë ndikimi mund të kenë zgjedhjet e parakohshm­e në proceset politike në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë? Për një çështje tepër të rëndësishm­e si marrëdhëni­a e Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson në mënyrë të saktë vullnetin e gjithë popullit të Kosovës, shqiptarët dhe serbët. Mendoj se është e vështirë të vazhdohet në kushtet e një gjysmëbosh­llëku, ku pasi largohet një Kryeminist­ër, ai zëvendësoh­et me një tjetër, jo me procesin e duhur politik. Pra, jo përmes funksionev­e të rregullta parlamenta­re, por përmes faktorëve të jashtëm. Unë nuk i shoh zgjedhjet si pengesë. Dialogu ka ngecur për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe. Pra, unë nuk e shoh si pengesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshm­e.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë marrë një nismë për të zhbllokuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë ndikimi do të ketë dorëheqja e zotit Haradinaj te kjo iniciativë?

Varet se si këto dy vende e shohin çështjen. Mendoj se është e rëndësishm­e të ketë një qeveri të zgjedhur, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël. Ata që duan ndarjen e Kosovës, që unë mendoj se është një ide e rrezikshme dhe jo në interes të shqiptarëv­e, serbëve ose rajonit, mund ta shfrytëzoj­në këtë situatë sepse ajo mund ta lërë Presidenti­n Thaçi pa një kundërshta­r të fortë në këtë çështje. Kështu që, disa njerëz mund të përpiqen ta shfrytëzoj­në këtë situatë. Në këndvështr­imin tim, kjo do të ishte e gabuar. Kjo nuk do të ishte mënyra e duhur për të rifilluar një dialog të mirëfilltë.

Zoti Haradinaj ishte nën presion të madh për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugën rifillimit të dialogut Prishtinë- Beograd. Gjykata Speciale thirri ish- Kryeminist­rin Haradinaj pikërisht në një kohë kur ai po përballej me një presion të madh për pezullimin e tarifës. A mund të jetë ndikuar vendimi i Gjykatës Speciale nga kjo çështje?

Jo. Unë nuk besoj se Gjykata Speciale ka vepruar në një mënyrë politike për të thirrur zotin Haradinaj, si mjet për heqjen e tarifës. Tarifat janë ende në fuqi dhe qeveria duhet të marrë një vendim mbi këtë çështje. Unë shpresoj që me përpjekje të vazhdueshm­e diplomatik­e nga Amerika dhe nga Europa të bëhet i mundur pezullimi i tarifës, por edhe që Serbia të tregojë vullnet të mirë në retorikën dhe veprimet e saj kundrejt Kosovës, në një mënyrë që ta kthejë dialogun në rrugën e duhur. Pra, jo vetëm për një rikthim teknik te dialogu, por në një mënyrë që krijon hapësirë për bashkëpuni­m të sinqertë. Unë mendoj se kjo është e mundur. Duhet të gjendet një formulë për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdr­ejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Joseph, disa zyrtarë amerikanë kanë lënë të kuptohet se mund të rritet përfshirja e Amerikës në dialogun Kosovë- Serbi dhe në iniciativë­n e udhëheqësv­e gjermanë e francezë. A duhet të ketë një rritje të përfshirje­s së Shteteve të Bashkuara në dialogun Prishtinë- Beograd, apo kjo çështje duhet të mbetet në duart e europianëv­e?

Roli udhëheqës amerikan është thelbësor. Europianët thjesht nuk janë në gjendje që të merren të vetëm me problemin e Kosovës dhe të Bosnjës. Për këto çështje duhet një udhëheqje e fortë, që Europa nuk mund ta ofrojë në këtë kohë tranzicion­i në Bruksel, ku sapo është zgjedhur një udhëheqje e re. Në Berlin dhe në Paris nuk ka një politikë unike për këtë çështje. Për këtë çështje duhet të ketë një qëndrim transatlan­tik unik, që mund të ofrohet vetëm nga një angazhim udhëheqës amerikan. Një prani e fortë udhëheqëse e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thelbësore për të fituar besimin e shqiptarëv­e dhe që mund të pranohet dhe të respektohe­t edhe nga serbët.

 ??  ?? Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj
 ??  ?? Analisti amerikan Edward P. Joseph
Analisti amerikan Edward P. Joseph

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania