Panorama (Albania)

Partizani në tym, Sherifit i mjafton 1 gol për ta rrëzuar

Fare të parreziksh­ëm, e nisin me humbje, të kuqtë me një këmbë jashtë

-

Partizani e nis me humbje në Europa Ligë, pasi Sherif Tiraspol fiton 0- 1 në ndeshjen e zhvilluar në "Selman Stërmasi", e vlefshme për turin e dytë.

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, goli i pësuar në shtëpi i vë të kuqtë përballë një misioni tejet të vështirë në transfertë­n moldave, teksa në vendin tonë nuk ia doli që të rrezikojë asnjëherë seriozisht portierin e ekipit moldav dhe rrjedhimis­ht thuajse jashtë kompeticio­nit. Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda bëri një paraqitje zhgënjyese. Të kuqtë pësuan gol që në minutën e 23të, por nuk patën as forcën dhe as grintën për t'iu kundërpërg­jigjur miqve. Ndryshe nga dy ndeshjet në Champions, mbrojtja e Partizanit dje u pa në vështirësi të konsiderue­shme, por mbi të gjitha mungoi organizimi i lojës dhe manovrat e shpejta në sulm. Solomon nuk i shpëtoi për asnjëherë mbrojtjes së moldavëve, ndërkohë që lënia jashtë e Asanit nuk rezultoi aspak efikase. Loja nga krahët la shumë për të dëshiruar, ndërkohë që skuadra filloi të zgjatej në fushë që në pjesën e parë dhe ndonëse Lerda bëri tri zëvendësim­e, nuk i ndryshoi as ritmin ekipit dhe as rrjedhën lojës. Natyrisht, Sherifi është skuadër e rrezikshme dhe me eksperienc­ë në Europë, por Partizani nuk mund të pretendojë që në fund të majit të largojë trajnerin, të heqë nga formacioni Atandën, Hilën, Asanin, Trashin dhe Bardhin ( i dëmtuar ky i fundit) e më pas të jetë një skuadër solide dhe e qartë.

PJESA E PARË Të kuqtë nisin me ndryshime në formacion, teksa Asani është lënë në stol, ashtu si edhe Trashi, ndërkohë që në majën e sulmit janë Çinari dhe Kordeiro në mbështetje të Solomon. Nga ana tjetër, kundërshta­ri përgjigjet me një skemë 4- 2- 3- 1, ku Latifi starton nga e djathta e sulmit dhe për pak minuta zhvendoset majtas. Është pikërisht mesfushori shqiptar në minutën e katërt, që driblon Hakajn dhe harkon, por në mënyrë të gabuar. Rasti ideal i ekipit moldav në të 11ën minutë, teksa Balima nga e djathta vë në rrezik zonën me një harkim dhe Hordienko bën më të vështirën fare pranë vijës fatale, e nxjerr jashtë. Të kuqtë janë të vendosur, me detyra të qarta, por pak të rrezikshëm në sulm. Tentativa e parë është nga Kordeiro pas 15 minutash lojë, ku nga jashtë zone godet, por sfera shkon mbi tra. Në të 23- ën minutë, teksa të kuqtë janë në aksion sulmues, shkatërrim­i i tij krijon kundërsulm për miqtë. Latifi kombinon me kapitenin Kendish që shtyn drejt zonës dhe gjuan fuqishëm. Alban Hoxha pret, por pa e ndalur sferën dhe aty pranë është Tambe që e shtyn drejt kuadratit. Tentativa e Belicës nuk mjafton me sparkatë për ta ndalur dhe Sherif feston pas 23 minutash lojë. Të kuqtë nuk dorëzohen dhe shtojnë sulmet, por jo goditjet në kuadrat. Mala dhe Çinari, i pari me kokë në të 28- ën dhe i dyti 10 minuta më vonë me goditje nga jashtë zone, nuk shënjestro­jnë saktë katërkëndë­shin. Portieri i tyre Mikuliç, vetëm në të 41- ën minutë ka gjuajtjen e parë në portë, nga Broja që godet në qendër. Më tej ka kohë edhe për një shpërthim të Ibrahimit, i vetmi drejt fundores, kroson, por mbrojtësit largojnë. Të kuqtë shkojnë në pushim në disavantaz­h dhe aspak të rrezikshëm në sulm.

PJESA E DYTË Trajneri i ekipit mik surprizon me Latifin, pasi vetëm dy minuta kalojnë dhe e zëvendëson. Për të kuqtë, në fillim Asani në vend të Çinarit dhe 6 minuta më vonë, një tjetër zëvendësim kokë më kokë, ku Solomon i lë vendin Josep Ekuban. Të kuqtë zhvendosen më shumë drejt gjysmëfush­ës së kundërshta­rit, me këtë të fundit që zgjedh si taktikë të mbrohet me forca të shumta dhe të qëndrojë në pritje. Rreziku i parë vjen nga e majta me Hakajn, i cili del në fundore dhe kroson për Çinarin, që gjuan lehtë me kokë dhe pa problem për portierin mik. Minutat kalojnë, por të kuqtë nuk krijojnë asgjë të rrezikshme. Broja nuk ka saktësi në daljet e tij, ndërsa Kordeiro gjuan disa herë pa koordinata­t e sakta të portës. Asani dhe Mala tentojnë, por nuk krijojnë asnjë rrezik për Sherif. Miqtë, provojnë me Boban, por në fillim jashtë dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt ndalen nga Hoxha. 45 minutat e dyta janë i njëjti refren, me të kuqtë që nuk shfrytëzoj­në as ata tifozë të pranishëm, as fushën dhe, mbi të gjitha, as dëshirën për të mposhtur një kundërshta­r në Europë dhe për të kaluar të paktën një tur. Sherif gjen atë që do dhe i duhet që në shtëpi të bëjë vetëm administri­m për turin e tretë.

Franko Lerda ka deklaruar se skuadra i ka pëlqyer me përjashtim të minutave të para, kur është futur në lojë e kontraktua­r dhe pa besim në forcat e veta. Trajneri i të kuqve nuk e pranon faktin se Sherif e ka dominuar dhe as nuk e pranon shqetësimi­n për mungesën e golit. Sipas tij, rastet skuadra i krijon dhe flet me bindje se mund të krijojë disa edhe në Modavi, vetëm se duhet që të shndërrohe­n në gol. Pse u mund Partizani sot? Humbëm sepse ata bënë një gol. Ne nuk e bëmë në disa raste që patëm. Nuk e nisëm mirë ndeshjen. Gjatë 10 minutave të para, skuadra ishte e kontraktua­r. Edhe terreni nuk na ndihmoi të dilnim në lojën tonë. Me kalimin e minutave, morëm frenat e lojës dhe dolëm në lojën tonë.

Është një hap pas kjo ndeshje, duke e krahasuar me dy ndeshjet ndaj Karabakut?

Ndaj Karabakut ne menduam dhe bëmë ndeshjen tonë. Sot ( dje), nga pësimi i golit, u prishën planet tona dhe ekuilibrat e skuadrës në fushë. Nuk arritëm që repartet të lidheshin gjatë 90 minutave. Nuk ishin në nivelin që e dua unë skuadrën. Pse nuk po shënon Partizani, çfarë po ndodh? Nuk ka asgjë. Skuadra thjesht nuk po arrin të shënojë. Ky është futbolli. Krijuam disa raste, por pa i shfrytëzua­r. Sa besim keni që mund ta ktheni rezultatin në Moldavi? Absolutish­t që po! Absolutish­t që po! Unë besoj sepse kemi parë që kjo skuadër ka vlera për të përmbysur këtë rezultat në Moldavi. Ajo që duhet të bëjmë është të minimizojm­ë gabimet. Sot bëmë disa gabime, të cilat duhet t'i shmangim. Krijuam dy apo tri raste dhe na duhet që të kemi më shumë besim dhe vendosmëri në sulm. Kam besim se edhe në Modavi do t'i krijojmë dy apo tri raste të rrezikshme, ama na duhet që ta fusim topin në rrjetë. A jeni kënaqur me Partizanin sot? Në fillim të ndeshjes nuk bëmë mirë. E nisëm takimin të kontraktua­r dhe kemi gabuar teknikisht në disa pjesë të ndeshjes. Pësuam një gol dhe në aspektin psikologji­k ishim thuajse të bllokuar. Por, më pas e morëm veten dhe pas minutës së 25- të patëm më shumë besim në vetvete dhe mund të them se e mbyllëm mirë pjesën e parë në krahasim me fillimin. Ndërsa në pjesën e dytë skuadra më ka pëlqyer, krijuam disa mundësi, i referohem rastit të Çinarit, Mala me kokë, Broja, por patëm edhe Melon në pjesën e parë. Patëm 3- 4 situata ku duhet të shënonim gol.

Po me mënyrën sesi u luajt, a jeni i kënaqur, pasi para ndeshjes patët deklaruar se prisnit një Partizan sulmues, por tifozët kërkojnë diçka më shumë, pasi ishte Sherif që kishte në kontroll ndeshjen?

Sherifi nuk e ka kontrollua­r ndeshjen, por pati 2- 3 raste në fillim dhe shënoi golin. Kishte lojtarë të shpejtë përpara, sulmuesin qendror, por edhe nga krahët. Edhe në aksionin e golit, mund të kishim bërë më mirë. Megjithatë, e përsëris që nuk më ka palyer vetëm fillimi i ndeshjes. Me kalimin e minutave, ekipi ka bërë atë që mundej dhe duhet të bënte. Mbase mund të përdornit alternativ­ën Trashi? Alternativ­at dhe Trashin unë i kam në konsiderat­ë. Përpiqem gjithmonë që të zgjedh 11- shen më të mirë në bazë të ndeshjes, me të cilën do të përballem.

Si shpjegohet që në dallim nga përballjet me Karabakun, skuadra nuk iu përgjigj atyre gjërave që ka përgatitur në stërvitje?

Le të themi se Karabak, për nga mënyra e lojës, na bënte që të luanim mbrapa duke mos krijuar hapësira në prapavijën e tij. Sot ( dje) vështirësi­në e hasëm kur u tentua që të shtynim përpara me qendrat dhe kur bëmë zgjatjen e ekipit dhe të distancave mes reparteve. Ata u treguan të rrezikshëm. Ishte edhe për faktin se pësuam gol dhe diçka do të duhej që të provonim. Pastaj, e them vazhdimish­t që niveli psikologji­k është vendimtar gjatë një ndeshjeje, të cilin në 10- 15 minutat e para e përjetuam dhe e vuajtëm ndeshjen. Terreni nuk na ndihmoi. Edhe në ndonjë moment mosimpenji­mi maksimal, kemi gabuar pasime. Në total, aspekti psikologji dhe kokën e kishim të kontraktua­r.

 ??  ?? Festa e lojtarëve të Sherif Tiraspol në golin e shënuar
Festa e lojtarëve të Sherif Tiraspol në golin e shënuar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania