Meta: Zgjedhje më 13 tetor, Rama të heqë dorë nga shantazhet!
Kreu i shtetit i dërgon letër të hapur OSBE- së për të ndërmjetësuar një dialog për kapërcimin e krizës politike
Presidenti Meta u është drejtuar dje me një letër zyrave qendrore të OSBE- së, ku i kërkon ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Këtë gjë, kreu i shtetit e bëri të ditur gjatë një prononcimi për mediat në Durrës, ku theksoi se kishte kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për krizën shqiptare. “Unë kam formalizuar edhe një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE- së, i cili vizitoi dje Tiranën, por edhe Kryetarit të Radhës së OSBE- së, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE- së, që kur Shqipëria përgatitet të marrë Kryesinë e Radhës së OSBEsë – dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik– të negociojë me të dyja palët këtu, për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate aspak të favorshme për të gjithë qytetarët tanë, por edhe të padenjë për një vend, që duhet të jetë një shembull për çështjen e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve demokratike dhe të kontribuojë për rritjen e sigurisë në të gjithë hapësirën e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme”, theksoi Presidenti në prononcimin e tij. Meta u tregua i ashpër jo vetëm me maxhorancën, por edhe me opozitën, duke i vendosur të njëjtin epitet Ramës, Bashës dhe Kryemadhit. Krahas kësaj, ai theksoi se duhet të nisin përgatitjet për zgjedhjet në 13 tetor, sipas dekretit të firmosur nga ai vetë. “Situatë më absurde nuk kemi parë. Pa dyshim që zhvillimet me Teatrin Kombëtar janë mjaft shqetësuese. Për to jam shprehur qartë, në mënyrë koherente e të vazhdueshme edhe përmes padisë që bëra në Gjykatën Kushtetuese. Por ajo që na shqetëson më shumë është ky teatri i madh politik, absurd, që dërrmon Shqipërinë të çelë negociatat më 17- 18 tetor 2019. Prandaj, edhe një herë, u bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre ‘ artistëve’ që t’i japin fund këtij absurdi! Të marrin masa për zbatimin e dekretit për zgjedhjet vendore më 13 tetor, sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, të kenë një qeverisje vendore të ligjshme dhe që u garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre. Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet vendore në atë datë nuk besoj se zgjidhin gjithçka, por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë, ky është një detyrim për Kryeministrin, që të heqë dorë nga trysnitë dhe shantazhet ndaj të gjitha institucioneve të tjera, duke penguar zbatimin e këtij dekreti, dhe pa dyshim është përgjegjësi e të gjithë të tjerëve për t’u bërë gati që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 13 tetorit. Sot kemi një Parlament që nuk jep llogari para askujt. Një shumicë që kontrollon gjithçka. Pra, sot kemi një situatë kaotike në të gjitha drejtimet dhe kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend. Asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse edhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme, shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të kapjes së qartë të të gjitha institucioneve në vend”, u shpreh Meta.