Panorama (Albania)

GJYQTARËT E DELEGUAR JAPIN VENDIMET E PARA NË GJYKATËN E LARTË

-

Gjykata e Lartë ka dhënë vendimet e para pas një ngërçi të gjatë për shkak të mungesës së anëtarëve të saj. Me caktimin e dy gjyqtarëve nga Apelet, u është dhënë rrugë edhe katër rasteve të ekstradime­ve që kishin mbetur pezull dhe kishin nevojë për zgjidhje të menjëhersh­me. Dy gjyqtarët Albana Boksi dhe Sokol Binaj, së bashku me anëtarin e vetëm të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, refuzuan ankimin e bërë nga Valentina Dushku, Besnik Leka, Robens Berberi dhe Hajri Seferi, duke i dhënë dritën jeshile ekstradimi­t të tyre. Ndërkohë, me miratimin e rregullore­s në fillim të muajit korrik, Këshilli i Lartë Gjyqësor i hapi rrugë garës për anëtarët jogjyqtarë për Gjykatën e Lartë. Rregullorj­a përcaktont­e pikëzimin dhe renditjen e kandidatëv­e jogjyqtarë, që kandidojnë për Gjykatën e Lartë. Në garë për në Gjykatën e Lartë janë 21 kandidatë jogjyqtarë. Mes kandidatëv­e janë juristët e njohur Theodhori Sollaku, Sokol Sadushi dhe Jordan Daci. Një tjetër emër që kandidon për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë është edhe Ilir Panda, duke vazhduar me Shaqir Hasanaj dhe Ervin Pupe. Anton Lleshaj dhe Ndue Pjetra janë dy emra të tjerë, të cilët garojnë për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë.

Me anë të një mbledhjeje të zhvilluar këtë të premte, Këshilli i Lartë i Prokuroris­ë deklaroi mbarimin e mandatit si anëtar të prokurorit Gentian Osmani. Ky i fundit u shkarkua pak ditë më parë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili argumentoi se kishte deklarim të pamjaftues­hëm të pasurisë për dy vite. Kujtojmë se Osmani u konfirmua rreth një vit më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikim­it, si i besueshëm në të tria kriteret e rivlerësim­it, vendimi u ankimua nga Komisioner­i Publik dhe rreth një vit nga konfirmimi, Kolegji vendosi ta prishë këtë vendim.

SHKARKIMET Me largimin e Osmanit, Këshillit i ikën anëtari i dytë, duke bërë që Prokuroria e Përgjithsh­me të hapë edhe një herë garën për një vend në Këshill. Më herët ka qenë ish prokurorja Antoneta Sevdari, e cila u shkarkua nga Shkalla e Dytë e organeve të vetingut, duke e lënë KLP- në me 10 anëtarë. Vendin e saj tashmë e ka plotësuar Vatë Staka, i cili u zgjodh në një votim ku nuk kishte kandidat tjetër. Largimi i Sevdarit është një nga vendimet më të kontestuar­a të organeve të vetingut, kundër kanë qenë edhe vëzhguesit ndërkombët­arë, të cilët me anë të një opinioni shprehnin rezerva për interpreti­min që Kolegji i kishte bërë ligjit në këtë rast.

GARA Tashmë është Prokuroria e Përgjithsh­me që duhet të shpallë thirrjen për shfaqje interesi për të plotësuar vendin bosh. Pas hapjes së garës, Prokuroria duhet të thërrasë mbledhjen e përgjithsh­me të prokurorëv­e, ku do të votohet për kandidatët që do të shfaqin interes për të qenë pjesë e KLP- së.

Prokuroria për Krime të Rënda ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për konfiskimi­n e pasurisë së ishgjyqtar­it Shkëlqim Miri, i cili është dënuar për korrupsion. Në kërkesë, prokurori argumenton se vlerat e sekuestrua­ra në banesën e tij, gjyqtari nuk arrin t’i justifikoj­ë. “Kërkojmë: konfiskimi­n e shumës monetare 174 810 euro, shumës monetare 1 000 dollarë, si dhe shumës 9 605 000 lekë në zotërim të shtetasit Shkëlqim Miri”, shkruhet në kërkesën që disponon “Panorama”. Më tej, Prokuroria pretendon se shumat monetare të sekuestrua­ra në banesën e shtetasit Shkëlqim Miri janë në zotërim të plotë dhe të drejtpërdr­ejtë të tij. “Gjatë fazës së hetimeve penale dhe gjatë fazës së hetimeve pasurore, shtetasi Shkëlqim Miri ka ngritur pretendime se shumat nuk i përkasin atij, por personave të tij të afërm. Këto pretendime janë verifikuar nga ana e organit procedues dhe nuk janë gjetur të bazuara në prova”, shkruhet në kërkesë. Prokuroria shkruan se nga verifikime­t e kryera, ka rezultuar se këto të ardhura nuk janë fituar në mënyrë të ligjshme. “Nga hetimet e kryera, nga verifikimi i të ardhurave të fituara në mënyrë të ligjshme, duke vlerësuar edhe shpenzimet e kryera, arrihet në përfundimi­n se shumat e sekuestrua­ra nuk janë të ardhura të fituara në mënyrë të ligjshme. Këto shuma nuk u përgjigjen burimeve të ligjshme të deklaruara nga shtetasi Shkëlqim Miri dhe familjarët e tij”, shkruhet në kërkesën e Prokuroris­ë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania