Panorama (Albania)

Përplasje me armë për moskthimin e borxhit, plagosen tre persona

-

ELBASAN - Një sherr për një borxh të pakthyer ka përfunduar me përplasje me armë mes dy grupeve në një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. Nga të shtënat me armë, mbetën të plagosur tre persona. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali pranë pallatit të sportit “Tomorr Sinani”. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se sherri ka nisur fillimisht brenda në lokal. Dy grupet më pas kanë dalë jashtë lokalit dhe kanë nisur të konfliktoh­en me njëri- tjetrin. Më pas disa prej tyre kanë nxjerrë armët, duke e kthyer zonën në një kasaphanë. Një nga personat e mbetur të plagosur ka marrë disa plumba dhe mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë. Astrit Cërriku ka marrë gjashtë plumba pistolete. I plagosur me armë ka mbetur dhe Mihal Kacashi. Ndërsa pronari i lokalit, Fevzi Ago, mësohet se ka marrë vetëm një lëndim në sy në momentin që ka ndërhyrë për të shuar sherrin mes dy grupeve. Ago është goditur me qytën e pistoletës nga një prej autorëve. Ndërkohë, Astrit Cerriku, pasi ka marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, është nisur drejt Tiranës për një trajtim më të specializu­ar. Breshëria e armës ka shkaktuar panik te banorët e zonës ku edhe ndodhi ngjarja. Policia e Elbasanit ka identifiku­ar autorin kryesor të plagosjes me armë dhe po punon për arrestimin e tij. Gjithashtu, në kërkim janë dhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në konflikt. Për kapjen e tyre, Policia nisi kontroll duke ngritur postblloqe në të gjithë qytetin dhe akset hyrëse dhe dalëse. “Rreth orës 17: 20, në lagjen ‘ 28 Nëntori’, Elbasan, në ambientet e një lokali në afërsi të Pallatit të Sportit, gjatë një konflikti verbal për motive të dobëta mes disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri dy shtetasit A. C. dhe M. K. Ata janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal. Shtetasi F. A. është dëmtuar me sende të forta, jashtë rrezikut për jetën. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është bërë e mundur identifiki­mi i autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit mbi ngjarjen. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por dyshohet se Astrit Cerriku është personi i cili nuk kishte kthyer borxhin ndaj grupit të autorëve që kanë qëlluar me armë. m. s

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania