Tjetër atentat mafioz, tre plumba me silenciator i marrin jetën 47- vjeçarit
U qëllua me silenciator nga një person që po e mbante në ruajte
Gjendet i vrarë me tre plumba 47- vjeçari në Selenicë i dënuar për trafik droge.
Një person është gjetur nga kalimtarët pranë shkollës 9- vjeçare në Selenicë, ndërsa ishte qëlluar disa herë me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së mërkurës. Viktimë ka mbetur Nikola Ikonomi, banor i fshatit Resulaj. Kalimtarët e transportuan me shpejtësi 47- vjeçarin për në Spitalin Rajonal të Vlorës, por mjekët deklaruan vdekjen e tij sapo mbërriti. Mësohet se Tozaj ka marrë tre plumba pistolete dhe rezulton se një herë është qëlluar në kokë, gjë e cila ka qenë fatale për jetën e tij, ndërsa dy plumbat e tjerë i kishte në trup. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se, Ikonomi ka qenë duke pirë kafe në lokalin e fshatit Resulaj pak para se të ndodhte vrasja. Pasi është larguar, një person që dyshohet se e ka mbajtur nën vëzhgim e ka qëlluar me pistoletë me silenciator. Kjo dyshohet se është dhe arsyeja përse banorët nuk kanë dëgjuar krisma arme dhe kanë qenë disa kalimtarë të rastit që e kanë parë 47vjeçarin të shtrirë përtokë pa shenja jete. Pak pas ngjarjes, forcat të shumta të RENEA- s janë nisur drejt fshati Resulaj. Nga grupi hetimor mësohet se po hetohet nëse 47- vjeçari ka pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë gjatë ditëve të fundit, që mund të ketë çuar në ekzekutimin e tij ose kjo mund të ketë lidhje me përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Pritet marrja në pyetje e familjarëve të Nikola Ikonomit për të mësuar më shumë mbi këtë pistë dhe nëse 47- vjeçari ka shfaqur shqetësime tek ata kohët e fundit. Ndërkohë, bashkëfshatarët e 47- vjeçarit kanë treguar për Policinë se viktima njihej prej tyre edhe me ermin Laver Tozaj. Në fakt, kështu është emri i tij i lindjes, ndërsa shumë vite më pas e ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin, duke e bërë Nikola Ikonomi. Për këtë arsye, Policia po heton lidhur me të kaluarën e 47- vjeçarit, ku rezulton i përfshirë në trafik droge në dy ngjarje të ndodhura në vitin 2005, për të cilat është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Mësohet se Ikonomi është baba i një djali 19 vjeç. Pikërisht në fshatin Resulaj, në gusht të vitit të kaluar, ndodhi ajo që tashmë njihet si tragjedia e Selenicës. Ritzan Zykaj vrau me kallashnikov tetë të afërm të tij, mes të cilëve dy fëmijë, pas një dreke familjare. Shkak u bënë akuzat e herëpashershme ndaj të riut për vjedhjen e pulave. Çështja është ende në gjykim, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.