850 LEKE NE MUAJ
Dokumenti, tri taksat që i kompensohen pensionit
Çdo familje pensionisti mund të shmangë pagesën e të paktën tri taksave lokale në muaj. Si mund të kursehen 850 lekë në muaj dhe dokumente t që duhen
Në total janë tri taksa që i bashkohen faturës së ujit çdo muaj, por që me pak impenjim, mund të shmangen nga shumë kategori.
Ligjet, vendimet e Këshillit Bashkiak si dhe një sërë vendimesh qeverie, kanë dashur të përjashtojnë pensionistët, familjet në nevojë dhe disa kategori të tjera të shoqërisë nga rëndimi me taksa dhe tatime. Gazeta zbardh sot mundësitë që kanë, në mënyrë ligjore, pensionistët dhe këto kategori që të përfitojnë nga lehtësitë që ka parashikuar qeveria dhe bashkia. Taksa e re që do aplikohet në Tiranë, është ajo e pronës. Taksa do llogaritet mbi sipërfaqen e shtëpisë si dhe mbi vendndodhjen e saj. Mesatarisht, sipas vendimit të qeverisë për çmimet fiskale, një metër katror apartament në Tiranë vlen 89 mijë lekë. Taksa e pronës është 0.05 për qind e vlerës së një metri katror në vit. Taksa do paguhet në faturën e ujit. Mesatarisht, për një apartament 80 metra katrorë, taksa është 3600 lekë në vit, ose 300 lekë në muaj. Këtë taksë do ta paguajë çdo familje në Tiranë, me përjashtim të pensionistëve që jetojnë pa të ardhura të tjera në familje dhe ata që jetojnë me ndihmë ekonomike. Sipas vendimeve që gazeta boton sot, kush vërteton se është pensionist pa të ardhura të tjera, e shmang këtë pagesa, pra, shmang 300 lekë në muaj. Dy detyrime të tjera që paguhen në faturën e ujit janë "Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore" dhe "Tarifa së Pastrimit dhe Largimit të mbeturinave". Taksa e arsimit është 150 lekë në muaj. Këtu vendimi është i qartë: i përjashton të gjithë familjet me kryefamiljarë pensionistë. Ndërsa, tarifa e pastrimit është 417 lekë në muaj. Edhe këtu pensionistët përjashtohen nga taksa. Në total, me këto kompensime, një familje pensionistësh mund të shmangë më shumë se 850 lekë detyrime në muaj. Si mund të ndodhë kjo? Mjafton që kryefamiljari të jetë pensionist dhe në certifikatën familjarë ose të jetojë i vetëm me bashkëshorten ( po pensioniste), ose asnjë nga familjarët e tjerë të mos ketë të ardhura.