Vasili: Mafia shqiptare ka mbështetjen e qeverisë
"Ky është fundi i Shqipërisë dhe një zhbërje e vërtetë kombëtare"
Zëvendëskryetari i LSI- së, Petrit Vasili, në një postim në rrjetin social "Facebook" ka reaguar lidhur me reportazhin që ka publikuar media italiane Rai 3 ku e nxjerr Shqipërinë, si një nga vendet kryesore për prodhimin e marijuanës, por mbi të gjitha "tokë e një nga mafieve më të egra dhe më të rrezikshme të botës që lufton me Ndraghetan për kontrollin e rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut dhe kontrollon opiumin dhe heroinën që nga Afganistani kalojnë nëpër Ballkan". Vasili shprehet se mafian e mbështet qeveria dhe ky është shkatërrimi i Shqipërisë, të tjerat s'janë asgjë. "Mafian e mbështet qeveria, ky është shkatërrimi i Shqipërisë, të tjerat s'janë asgjë. E gjithë qeveria e Edi Ramës në çdo nivel mbështet dhe është kthyer në një çirak të Mafias. Ky është fundi i Shqipërisë dhe kjo është tragjedia më e madhe, kjo është një zhbërje e vërtetë kombëtare", shkruan Vasili. Më tej, Zëvendëskryetari i LSI- së citon prokurorin e antimafias italiane që flet për mafian shqiptare në këtë reportazh. "Prokurori i AntiMafias, Nicola Gratteri, i vë vulën lexojeni vetë: ' Në Shqipëri ata janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, bëjnë krime. Mafia në Shqipëri ka mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë nga ato më të ulëtat e deri te më të lartat', është shprehur publikisht Gratteri për emisionin Narcotica në RAI 3", citon Vasili. Zëvendëskryetari i LSI- së është shprehur më parë se zgjedhjet e parakohshme e shpëtojnë vendin nga kjo qeveri e lidhur me krimin. "Zgjedhje menjëherë, ky është shpëtimi i vetëm i vendit nga antishteti dhe antiqeverisja. Në Shqipëri sundon antivota, antishteti dhe antiqeverisja. 30 qershori ishte formësimi i një refuzimi mbarëpopullor ndaj tyre, por njëherazi edhe urdhri i prerë i popullit për t'i dhënë zgjidhje agonisë që po ua shkatërron jetën shqiptarëve, si nga pikëpamja ekonomike, morale, psikologjike dhe sociale, nëpërmjet zgjedhjeve të menjëhershme të lira e të ndershme. Protestat shumë masive dhe shumë të forta, qoftë nga pjesëmarrja, por edhe nga motivimi i tyre, imponuan si rrugën e zgjidhjes vetëm votën e lirë, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë. Askush nuk mund t'i shmanget kësaj zgjidhjeje, që populli kërkon, por edhe interesat afatgjata të vendit e imponojnë", është shprehur Vasili.