Ademi s’lëshon zyrën, shkodranët letër ambasadave
"Bllokoni konstituimin e Këshillit deri në verifikimin e Pjetrit"
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka treguar se nuk do lëshojë zyrën për Valdrin Pjetrin, i cili u zgjodh prej qytetarëve shkodranë në zgjedhjet e 30 qershorit. Në të njëjtën linjë me Ademin janë shprehur edhe një grup qytetarësh, të cilët me sa duket kanë nisur lëvizjet duke i kërkuar ambasadave në Tiranë për të ndaluar konstituimin e Këshillit Bashkiak. Ditën e djeshme, qytetarët shkodranë i kanë dërguar sot një letër ambasadës së SHBA, delegacionit të BE- së, ambasadës së Italisë dhe ambasadave të tjera. Përmes saj, ata kërkojnë që ndërkombëtarët të pengojnë konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe betimin e Valdrin Pjetrit, deri në kohën kur Italia të kthejë një përgjigje për akuzat e ngritura në adresë të tij. "Me konsideratë të lartë, ne, një grup përfaqësues i qytetarëve të Shkodrës, ju drejtohemi lidhur me situatën e pazakontë që po kalon qyteti ynë para dhe pas votimeve të 30 qershorit. Në një kohë kur pushteti dhe shteti në Shqipëri sot janë e njëjta gjë, kur institucionet e drejtësisë mungojnë, kur ata që duhej të përmbushnin garancitë e një procesi zgjedhor demokratik janë shndërruar në vegla politike, ne na vjen ndërmend vargu i poetit kombëtar Naim Frasheri, që thoshte ' dielli për shqiptarët lind nga perëndon'! Tashmë, prej disa ditësh, krerët e opozitës dhe mediat, kanë akuzuar zotin Valdrin Pjetri për mashtrim në deklarimet e tij lidhur formularin e dekriminalizimit të depozituar në KQZ si kandidat. Sipas këtyre akuzave, zoti Pjetri ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga organet e drejtësisë italiane. Ne kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos konstituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri", theksohet në letrën drejtuar ambasadave.