Kryeprokurorja Speciale Janeva, mijëra euro ryshfet për lirimin e biznesmenit
Akuzat për korrupsion ndaj Prokurores Speciale, Katica Janeva, në Maqedoninë e Veriut, tashmë kanë prova filmike. E përditshmja italiane “La Verita” ka publikuar një video ku shihen dy persona të dyshuar si ndërmjetësit e kryeprokurores speciale, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevsk. Ata janë filmuar duke numëruar tufa me 50- euroshe dhe kishin mbushur çanta në shtëpinë e biznesmenit Orçe Kamçev, i arrestuar pikërisht nga Prokuroria Speciale. Dy ndërmjetësit, po ashtu janë të filmuar ndërsa marrin çantat me euro dhe dalin nga shtëpia e biznesmenit Kamçev. Në pjesën e fundit të dëshmisë transmetohet një regjistrim audio, ku biznesmeni sigurohet nga dy miqtë e tij se shumë shpejt do të jetë i lirë. Në bisedë përmendet si garant Prokurorja Speciale Publike. Katica Janeva është vendosur në krye të Prokurorisë Speciale me sponsorizimin e BE, për të hetuar përgjimet që rrëzuan nga pushteti ish- Kryeministrin, Nikolla Gruevski. Më 15 korrik të këtij viti, ajo ka dhënë dorëheqjen, e cila do të hynte në fuqi sapo të miratohej Ligji për Prokurorinë Publike dhe të zgjidhej pasuesi i saj. Kur Zaev po e lexonte thirrjen për opozitën në konferencë për media mbi ligjin e prokurorisë, Katica Janeva njoftoi opinionin se po jepte dorëheqje nga posti i Kryeprokurores Speciale, por kjo do të bëhej aktive kur politika do të dakordohet për ligjin e ri dhe për emrin e pasardhësit të saj. “Me muaj të tërë po i përcjell kronikat për bisedimet mes partive politike për ardhmërinë e Prokurorisë Speciale Publike. E informoj opinionin se nuk do të lejoj që emri im të përdoret si alibi e dikujt që të mbahet peng Prokuroria Speciale dhe ardhmëria evropiane e shtetit tim. Po e dorëzoj dorëheqjen time, e cila do të bëhet aktive kur partitë politike do të pajtohen për ligjin e ri dhe do ta zgjedhin pasardhësin tim”, shkruhej në deklaratën e saj të meskorrikut.