Panorama (Albania)

Nxori “të fortin” e Beratit nga burgu, lirohet drejtori

U arrestua dy javë më parë, pas daljes nga burgu të Lulzim Cakës

-

ELBASAN – Drejtori i Burgut të Kosovës në Lushnjë, Judmir Shurdhi, do të hetohet në gjendje të lirë. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, dy javë pas arrestimit të tij. 39- vjeçari u arrestua bashkë me kartelisti­n e burgut, Llazar Mino, pas firmosjes për lirimin e Lulzim Cakës, të njohur ndryshe si i forti i Beratit. Hetimet ndaj drejtorit të burgut dhe vartësit të tij do të vijojnë në gjendje të lirë, për të provuar shkeljet e kryera që pretendohe­n nga Ministria e Drejtësisë. Shurdhi dhe Mino u akuzuan se kanë liruar nga burgu Lulzim Cakën, në një kohë kur ai nuk e kishte kryer të gjithë dënimin që i kishte mbetur. Sipas ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lirimi është bërë 4 muaj para se të mbaronte dënimin, për shkak të përllogari­tjeve të gabuara. Arrestimi i drejtorit të Burgut të Kosovës erdhi pas një hetimi administra­tiv nga Drejtoria e Përgjithsh­me e Burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje ( SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë, Lulzim Caka, i dënuar për vrasje e krime makabre në vitin 1997, me 25 vite burg, është shpallur në kërkim që prej 30 korrikut. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithsh­me të Burgjeve është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të tij dhe për këtë arsye duhet ta rikthejnë në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Banda kriminale e Cakës veproi nga viti 1995 deri në vitin 2000 në zonat e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Ai akuzohet për disa vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale. Deri tani, Ministra e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithsh­me e Burgjeve nuk kanë bërë asnjë njoftim për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhi. 39- vjeçari i akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentes­h, njihet në qytetin e Lushnjës si person pranë Partisë Socialiste. Shurdhi ka qenë Këshilltar i PS në Këshillin Bashkiak të Lushnjës në 2015- ën. Deri në momentin e emërimit në detyrën e Drejtorit të Burgut të Kosovës, ai ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë e Lushnjës. Judmir Shurdhi është shumë aktiv në fushatat e PS- së, pasi në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të tij me emra të njohur në radhët e PS- së. Nga ana tjetër, Judmir Shurdhi rezulton se është dhe pronar i një televizion­i kabllor në qytetin e Lushnjës. m. s

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania